Kurti lavdërohet: Kemi mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tri vitet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka zgjedhur rrjetin social ‘X’ të lavdërohet pak për disa suksese, që ai thotë se janë arritur gjatë qeverisjes së tij.

Kurti ka thënë se kanë mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tri vitet e fundit.

“51% e të rinjve të punësuar nëpërmjet platformës sonë të sponsorizuar nga qeveria, SuperPuna së bashku me 55% të përfituesve të masës sonë të punësimit për familjet janë gra. Ne kemi mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tre vitet e fundit”, ka shkruar Kurti.

“Më shumë se 100 mijë gra kanë hapur llogaritë bankare për herë të parë. Mbi 55 mijë gra kanë përfituar për herë të parë nga shtesat tona të lehonisë. Në tre vitet e fundit ne kemi financuar mbi 4600 bursa universitare për gra dhe vajza në STEM. Ata tani përbëjnë 50% të studentëve në fushat STEM në Universitetin e Prishtinës – një arritje e jashtëzakonshme e barazisë gjinore në fushat tradicionalisht të dominuara nga meshkujt”, ka shkruar tutje Kurti.

“Numër rekord i grave në pozita vendimmarrëse në institucionet publike, përfshirë ndërmarrjet publike, në të cilat kemi katërfishuar (nga 10% në 45%) peshën e grave në bordet drejtuese. Arsimi, punësimi, përfaqësimi, mirëqenia dhe pavarësia financiare janë shtyllat kryesore të barazisë sociale dhe gjinore. Jemi krenarë që nën udhëheqjen e Qeverisë sonë, këto shtylla janë më të forta se kurrë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *