Vdekja e të moshuarit pasi ra në një pusetë – Komuna e Prishtinës thotë se është përgjegjësi e Qeverisë, këta thonë se nuk janë në dijeni

Një person ka ndërruar jetë, pasi kishte rënë në një pusetë të hapur më 9 gusht. Ai ishte duke u trajtuar në QKUK që nga data 9 gusht.

Në raportin e policisë thuhet se rasti ka ndodhur me 9 gusht në Prishtinë. 

Lidhur me këtë Gazeta Insajderi, ka kontraktuar Komunën e Prishtinës, të cilët thanë se puseta ishte e hapur në magjistrale Prishtinë – Podujevë.

Një i moshuar ka rënë në një pusetë të hapur përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë. Si pasojë, personi në fjalë ka ndërruar jetë me 19 gusht. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit“, thanë nga Komuna. 

Sipas tyre, punimet aty janë përgjegjësi e Qeverisë dhe jo e Komunës. 

Dëshirojmë të sqarojmë për publikun se është konstatuar nga ekipet tona dhe konfirmuar nga Policia e Kosovës, se puseta në të cilën ka rënë i ndjeri është në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë.   Kjo rrugë magjistrale nuk është në kompetencë të Kryeqytetit, por në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesë e punimeve të menaxhuara nga Qeveria“, thuhet në përgjigje.

Lidhur me rastin ka njoftuar edhe policia në raportin 24 orësh, ku thuhet se të hënën në QKUK ka vdekur një burrë që ishte duke u trajtuar pasi kishte rënë në një pusetë të hapur më 9 gusht.

ASGJËSIM, DËMTIM APO HEQJE E PAJISJEVE MBROJTËSE- Prishtinë / 09.08.2024 – 21:30. Më 19.08.2024 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar i cili ishte duke u trajtuar në QKUK si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi kishte rënë në një pusetë të hapur më 09.08.2024. Në konsultim me prokurorin është inicuar rasti dhe mbetet në hetime“, thuhet në raport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *