“Zhvendosja e serbëve në Sanxhak” – “plan i vjetër i strukturave të sigurisë së Serbisë që duhet dekonspiruar”

“Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak”. Zyra e Kryeministrit e nxori në publik këtë informacion që Sonja Biserko dhe Nenad Çanak të dielën ia sollën Albin Kurtit nga Serbia në Kosovë. Ish-kryeinspektori i AKI-së thotë se “Kriza Humanitare” është një prej planeve që Serbia tenton ta zbatojë në veri, duke theksuar nevojën për dekonspirimin e tyre. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe politikani serb i Vojvodinës thanë se indikacionet i kanë nga disa burime, por edhe nga përvoja e tyre me ngjarjet e këtij lloji.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko dhe politikani serb i Vojvodinës, Nenad Çanak ishin të dielën në Qeverinë e Kosovës për një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Zyra e Kryeministrit tha më pas se mysafirët e njoftuan atë se “po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta” dhe se i kërkuan atij që “të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë”.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani i tha Gazetës Express se e ashtuquajtura “Kriza Humanitare” në veri të vendit është një plan i vjetër që Serbia synon ta zbatojë.

“Një prej planeve të vjetra tashmë, qysh nga viti 2018 dhe para kësaj në vitin 2011, që është tentuar të zbatohet nga Serbia ishte e ashtuquajtura ‘Kriza Humanitare’ në veri”, tha Ramadani në një përgjigje me shkrim.

“Kjo paraqet aktivitet klandestin të strukturave të sigurisë së Serbisë dhe dekonspirimi i tyre është i rëndësishëm”, tha ai.

Ndërsa “logjika e Serbisë mbetet te krizat”, Ramadani tha se “Kosova duhet të fokusohet te zhvillimi”.

Dekonspirimi, ai tha se bëhet me angazhim të shtuar me partnerët ndërkombëtarë.

“Absolutisht besoj se ‘krizat humanitare’ nuk janë opsione të shekullit që jetojmë dhe as modelit demokratik të shtetit tonë. Prandaj, sa më shumë angazhim të përbashkët të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, aq më mirë e më shumë dekonspirohen planet e Serbisë”, tha Ramadani.

Pasi informacionet e dërguara te Kurti u nxorën në publik, Biserko pranoi të nesërmen se i solli në Prishtinë shqetësimet për disa informacione se në rajonin e Sanxhakut në Serbi “janë duke u ndërtuar shtëpi dhe banesa për serbët e Kosovës, e sidomos ata nga veriu”. Por kërkoi që këto informacione të verifikohen.

“Si dikush që është marrë me çështjen e refugjatëve që nga vitet 1990 e këndej, ju kujtoj se gjithmonë ka pasur thashetheme, të cilat më vonë kanë rezultuar me eksod apo zhvendosje të popullsisë”, tha Biserko në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

“Ne i kemi thënë Qeverisë së Kosovës që duhet t’iu kushtojë vëmendje këtyre informacioneve dhe të bëjë gjithçka të mundur që popullata serbe të mbahet në veri të Kosovës”, tha Biserko.

Ish-kryetari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, të martën në një intervistë për gazetën e pavarur serbe “Danas” tha se “informacionin për zhvendosjen e mundshme të serbëve nga veriu i Kosovës në Sanxhak”, Biserko dhe ai e morën “nga disa burime”.

“Konsideruam se nuk duhet ta lëmë të kalojë pa u vënë re dhe të fillojmë ta hedhim fajin nga njëra palë në tjetrën, siç ka ndodhur edhe më parë gjatë historisë. Konsideruam se këtë informacion duhet ta ndajmë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, sepse ai e ka obligim të kujdeset edhe për sigurinë e serbëve në Kosovë”, tha Çanak.

Ai tha se ka “elemente që përputhen” dhe se “ekziston ndërtimi i objekteve të caktuara nëpër Sanxhak”.

Duke përmendur edhe “përgatitjet me intensitet të lartë” dhe “heqjen e universitetit në veri të Kosovës”, ai tha se “është e qartë se ku çon kjo”. “Që të mos kishte surpriza më vonë, ne ndjemë se duhet informuar Kurtin me kohë”, tha Çanak.

Indikacionet se po përgatitet zhvendosja e serbëve nga veriu i Kosovës në Sanxhak, ai tha se “janë krijuar pas një përvoje prej disa dekadash”.

Çanak tha se takimin me Kurtin e organizoi Biserko, ndërsa përsëriti se e menduan si “shumë të rëndësishme” që kryeministrit të Kosovës “t’i jepet në dorë përgjegjësia për qytetarët, ta dijë dhe duhet të jetë i vetëdijshëm se në një rast të tillë bëhet fjalë për qytetarët e Kosovës”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq cilësoi “cirk” të Kurtit, Biserkos e Çanakut informacionin për zhvendosjen e mundshme të serbëve nga veriu i Kosovës në Sanxhak.

“Serbët nga Kosova do të mbeten në Kosovë, përkundër dëshirës së Albin Kurtit, Nenad Çanakut, Sonja Biserkos dhe shumë të tjerëve që serbët nga Kosova të zhduken. Nuk do të më kishte shkuar në mendje të mendoj diçka të tillë. Shkurt këto janë budallallëqe”, tha Vuçiq nga Republika Srpska në Bosnjë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ta komentuar këtë.

Numri i popullsisë në veri nuk dihet saktë, meqenëse serbët e katër komunave atje e bojkotuan masivisht regjistrimin e popullsisë në pranverën e këtij viti. Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se regjistrimit atje iu përgjigjën vetëm rreth 6.500 persona.

*Foto: AFP – Njësitë speciale të Policisë së Kosovës duke siguruar zonën afër pikës kufitare Jarinjë më 20 shtator 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *