Pushteti nuk tregon se ku janë institucionet tjera paralele të Serbisë në Kosovë që kanë mbetur pa u mbyllur

Disa komuna paralele të Serbisë në Kosovë u mbyllën gjatë këtij viti, por akoma ka të atilla që janë të hapura. Sot ministri i MAPL’së, Elbert Krasniqi, nuk tregoi se ndodhen institucionet paralele serbe që funksionojnë ende në Kosovë.

Gazeta Express

Në janar të këtij viti katër komuna paralele serbe u mbyllën në Dragash. Pas disa ditësh njëjtë u veprua edhe në Pejë, Istog e Klinë. Ndërsa në fund të gushtit u mbyllën edhe pesë institucione paralele të Serbisë në Veri. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pati bërë të ditur se bëhet fjalë për: Qarkun e Mitrovicës së Kosovës, Komunën paralele të Mitrovicës, Komunën paralele të Zveçanit, Komunën paralele të Zubin Potokut dhe Komunën paralele të Leposaviqit. E javën e kaluar u mbyll edhe komuna e Skenderajt në Veri.

Mbylljen e komunave paralele e pat kritikuar ambasada e SHBA’së duke thënë se është “e shqetësuar dhe e zhgënjyer”, ndërsa ambasadori gjerman dhe ai francez thanë se vendimi ishte “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.

Gazeta Express i ka dërguar pyetje MAPL’së që të kuptojë se cilat komuna paralele janë ende aktive, por nga Ministria kanë thënë që t’i drejtohemi Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga Ministria e Xhelal Sveçlës, Express nuk ka pranuar përgjigje deri më tani.

Mirëpo, sot në një konferencë për media, ministri i MAPL’së, Elbert Krasniqi tha se nuk i bëjnë publicitet se cilat do të mbyllen dhe kur, por dha zotimin se të gjitha do të mbyllen.

“Jo vetëm institucionet e sigurisë kanë informacione mbi aktivitetet e ndryshme të duplifikimit të institucioneve, por edhe mediat kanë lirinë, mundësinë dhe logjistikën që – shteti tash me sigurinë në veri – të bëjnë edhe kësi raportime që janë shumë të rëndësishme. Nuk kam çka të shtoj pos që nuk ka në Kosovë hapësirë për asnjë institucion paralel të shtetit. Ato do të mbyllen që të gjitha. Tash mund të kemi diskutime pse është mbyllur kjo dhe jo ajo, por krejt çka dua të them është se ato do të mbyllen. Para disa ditëve unë kam pranuar nga një media edhe kërkesën që t’i bëjë publike cilat janë, ku janë dhe kur do të mbyllen. Sigurisht që nuk do të shkojmë kështu me një publicitet se ku janë dhe kur do të mbyllen, por të gjitha do të mbyllen dhe atë shumë shpejtë”, tha Krasniqi.

Krasniqi kishte paralajmëruar mbylljen e komunës paralele në Graçanicë

Më 18 shtator, ministri Krasniqi, në një intervistë në “Frontal” të T7, ka paralajmëruar mbylljen e komunës paralele të Prishtinës me seli në Graçanicë.

Ai tha se nuk ka vend për institucione të Serbisë në Kosovë.

Krasniqi kishte paralajmëruar mbylljen e një zyre paralele të Skënderajt, e cila u mbyll javën e kaluar.

“Nëse sot do ta zhvillonim këtë bisedë dhe temë do të ishte mbyllja e zyrës në Graçanicë, ju do të thonit pse s’po mbyllen në Veri. Nuk ka vend për institucione të Serbisë në Kosovës. Nuk e di me datë se kur do të mbyllet. S’dua të banalizoj, por një zyrë paralele është edhe në Skenderaj, edhe ajo do të mbyllet”, ka thënë ai.

Krasniqi shtoi se në Kosovë “nuk mund të ekzistojë” asnjë komunë paralele.

“Pas Prizrenit, Dragashit, Klinës, Istogut, radha ka ardhë në Mitrovicë. Të gjitha do të mbyllen. S’do të mund të ekzistojë në Kosovë asnjë komunë paralele”, ka thënë ministri Krasniqi.

Në përvjetorin e parë të sulmit terrorist në Banjskë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se të gjitha institucionet ilegale që operojnë në Kosovë “në një kohë apo tjetër, do ta kenë fatin e njëjtë, sikur ato që tashmë janë mbyllur”.

“Është çështje e përgatitjeve operacionale të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Shëndetësia dhe arsimi do të trajtohen në mënyrë specifike

Ministri Sveçla kur u pyet për deklaratën e kolegut të tij, ministrit Nenad Rashiq, se mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore është çështje kohe, tha se sipas Pakos së Ahtisaarit, komuniteti serb përmes qeverisjeve komunale ka një autonomi më të gjerë në arsim dhe shëndetësi.

“Sipas Pakos së Ahtisaarit, komuniteti serb në këto dy sfera, përmes qeverisjeve komunale, ka një autonomi më të gjerë. Do të thotë, shëndetësia dhe arsimi kanë disa të drejta shtesë, disa privilegje, të cilat ne nuk jemi të interesuar që t’i prekim, sepse janë edhe në ligj. Andaj, në këto fusha do të jemi më të kujdesshëm, në kuptimin e përcaktimit të saktë të veprimtarisë së tyre brendapërbrenda ligjeve të Kosovës. Më herët, unë po flisja për komuna paralele, për shërbime, që nuk parashihet të ofrohen nga askush tjetër, përveç institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Sveçla tha se shëndetësia dhe arsimi do të trajtohen në mënyrë specifike ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera.

“Jo, nuk po them [se do të vazhdojnë të funksionojnë] nën sistemin e Serbisë. Po them që këto dy shërbime apo këto dy fusha kanë situatë specifike dhe do të trajtohen në mënyrë specifike, ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera, të cilat janë tashmë në proces”, tha ai.

Sveçla nuk dha detaje se si do të operojnë këto institucione, por tha se Ministria e Shëndetësisë i ka komunikimet e nevojshme me sistemin shëndetësor që punon në këto komuna. Sipas tij ajo që nevojitet është koordinimi i shtuar mes dy palëve që gjithçka të futet në bazën e ligjshmërisë.

Sipas tij e njëjta duhet të jetë edhe me sistemin arsimor.

“Të gjitha këto gjëra janë të parapara me ligj. Krejt çfarë do të bëjmë, është të kërkojmë që ligjet e Kosovës të zbatohen me përpikëri. Ministria e Shëndetësisë tashmë i ka komunikimet e nevojshme me sistemin shëndetësor, i cili punon në këto komuna. Unë besoj se krejt çfarë nevojitet, është një koordinim i shtuar mes të dyja palëve, në mënyrë që çdo gjë të futet në bazën e ligjshmërisë. E njëjta gjë do të duhej të ishte edhe me sistemin arsimor”, tha Sveçla. /GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *