Kryebashkiaku i Lezhës: Zjarret janë larg pushuesve, s’ka arsye për frikë

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka folur për situatën me zjarret të cilat e kanë kapluar Shëngjinin, ku tha se ditët e fundit kanë qenë më të vështirat që i ka kaluar jo vetëm Shëngjini, por e gjithë Shqipëria.

Ai tha se ka qenë një përhapje masive e zjarrit dy net më herët për shkak të erërave të forta, e ku tha se edhe pas mendimit se zjarri është vënë nën kontroll, erërat e forta kanë bërë të mundur një shpërndarje të shpejt të zjarrit.

“Forcat janë organizuar, forcat e zjarrfikësve, duke kërkuar ndihmën edhe të zjarrfikësve të Shkodrës, Tiranës, Kamzës, Durrësit, Fierit, Beratit, gjithë Shqipëria ka ardhur këtu dhe kanë bërë të mundur që situata të vihet në kontroll”.

“Herë-herë ka pasur shpërthime të vatrave të ndryshme që e kanë vu në vështirësi situatën, por gjithsesi ia kemi dalë pa dëme në njerëz, me dëme shumë të lehta në biznese, me dëme jo shumë të rënda në pyje dhe në fund tashmë jemi në një situatë më të kontrollueshme”, tha Ndreu në “Info Magazine”, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se do të duhet disa ditë që situata të jetë e qetë në atë zonë, në kuptimin e shërbimeve por jo të pushuesve.

“Kjo nuk do të thotë që nuk ka vatra që aktivizohen, por i kemi identifikuar dhe po i mbajmë nën kontroll. Jemi në një zonë shumë larg pushuesve, zonat afër janë të menaxhuara tashmë dhe bizneset janë në aktivitet normal. S’ka asnjë arsye për të qenë në panik apo frikë”, tha ai.

Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, po qëndron në Shëngjin, nga ku po sjell informacionet e fundit në lidhje me zjarret që kanë kapluar atë zonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *