Ish-Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë për Ekonomia Online se parashikimet për rritjen ekonomike 3.9 për qind është e pamjaftueshme për të adresuar sfidat që i ka Kosova, e që janë papunësia dhe deficiti i lartë tregtar.
Shqetësuese sipas tij është edhe rritja e përqindjes së kredive familjare. Sipas tij, gjendja e rëndë pas inflacionit tregon “se familjet në Kosovë janë duke pasur vështirësi me kalu nga muaji në muaj me pagat të cilat i kanë”.
Mehmeti ka thënë se për ta përmbushur konceptin e rritjes ekonomike, duhet ndryshuar struktura e ekonomisë në vend në favor të ndërmarrjeve prodhuese.
“Nëse i referohemi raportit ose parashikimeve që jep Banka Botërore si institucion financiar kredibil ndërkombëtar. Parashihet që të kemi rritje ekonomike këtë vit rreth 3.9 për qind e nxitur nga investimet dhe konsumet. Si rritje ekonomike prej 3.9 për qind, parashtrohet pyetja a është një rritje e mjaftueshme për të adresuar sfidat që i ka Kosova, që është papunësia dhe deficiti i lartë tregtar. Nuk është një rritje e mjaftueshme, ne kemi pasur rritje ekonomike, po flas para pandemisë, 4.5 kemi pasur 4.2, ka qenë një rritje e pamjaftueshme për të adresuar sfidat që ka Kosova. Në rastin konkret problem e shoh në Kosovë strukturën e ekonomisë në vend, pra për ta përmbushur atë definicionin ose konceptin e rritjes ekonomike”, ka thënë Mehmeti, teksa negative e sheh edhe thellimin e deficit tregtar.