“Albin Kurti dëshiron të kryejë spastrim etnik në Kosovë”. Ky është pretendimi absurd i bërë publik nga zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin gjatë një interviste për median serbe RTS-në. Vulin theksoi se, KFOR-i duhet të mbrojë serbët e veriut në Kosovë pas vendimit të qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës mbi lumin Ibër.
“Politika e Kurtit është spastrimi etnik i Kosovës dhe Metohisë, për t’i pastruar nga serbët dhe kjo mund të bëhet vetëm me dhunë. Sipas rezolutës 1244, KFOR-i është garantuesi i mbijetesës së serbëve në Kosovë dhe Metohi. Është detyra e tyre të mbrojnë serbët në Kosovë dhe Metohi, është detyra e tyre të sigurojnë që ligji të zbatohet për të gjithë, dhe jo që serbët të arrestohen pavarësisht se kush dhe kur paditet, të mbahen për një vit në paraburgim”, tha Aleksandar Vulin, Zëvendëskryeministër i Kosovës.
Faktori ndërkombëtar me në krye Bashkimin Europian kanë kritikuar politikanin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për vizitën e tij të fundit në Rusi. Bashkimi Evropian i ka bërë të qartë Serbisë se mbajtja e raporteve me Rusinë në kohën kur Moska po vazhdon agresionin kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e bllokut dhe procesin e anëtarësimit.
“BE-ja ka qenë e qartë me partnerët tanë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuara dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha unioni evropian në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë. Vulin, sipas njoftimit të Qeverisë së Serbisë, ka falënderuar strukturat ruse të sigurisë për “paralajmërimin lidhur me planifikimin e trazirave masive dhe një tentim grushtshteti” në Serbi për çështjen e litiumit.