Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka reaguar në lidhje me njohjen e pasaportave të lëshuara nga institucionet e Serbisë nga ana e BE-së, për një numër të qytetarëve tanë.
Sipas Tahirit, kjo paraqet një precedent të rrezikshëm dhe një goditje e madhe ndaj shtetit tonë dhe si i tillë lejon goditjen dhe ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë në sovranitetin institucional të Kosovës nga ana e strukturave serbe.
“Njohja e pasaportave të lëshuara nga institucionet e Serbisë nga ana e BE-së, për një numër të qytetarëve tanë, paraqet një precedent të rrezikshëm dhe një goditje e madhe ndaj shtetit tonë. Ky veprim përligj dhe legjitimon një autoritet të huaj dhe saboutes, dhe si i tillë lejon goditjen dhe ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë në sovranitetin institucional të Republikës së Kosovës nga ana e strukturave serbe. Kjo, nuk ka asgjë të bëjë me të drejtat e njeriut dhe as me ofrimin e mundësive të barabarta, sepse ato i ofron Kosova në nivelin më gjithëpërfshirës dhe më ekskluziv për serbët e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ai tutje ka deklaruar se kjo gjë ka ndodhur përgjatë kohës së qeveria ishte e zënë me luftimin e mediave të lira.
“Kjo nuk ndodhi në një ditë, kjo ndodhi sepse kjo qeveri ishte e zënë me populizëm, me luftimin e mediave të lira, me ngulfatjen e demokracisë, duke mos pasur kohë për informim dhe afirmim të pozicioneve tona shtetërore në instancat e BE-së. Kjo ndodhi sepse krerët tanë institucional, ishin të zënë me ping pongun me temën e asociacionit. Harruan se Serbia vepron hapur dhe në fshehtësi!”, ka përfunduar Tahiri.