Ndërpritet seanca ndaj aktivistëve të LVV-së lidhur me protesën e 2015-ës

Në mungesë të të akuzuarit Uran Hasani, mbrojtëses së të akuzuarit Premton Ibërdemaj, avokates Besjana Ismaili, si dhe dëshmitarëve Gani Obrazhda, Exhevit Heta dhe Naser Qerkezi, është ndërprerë seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me protestën e vitit 2015.

Ylli Hoxha, Premton Iberdemaj, Urim Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj ngarkohen se në tetor të 2015-ës gjatë një proteste iu kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy policëve dhe kishin dëmtuar pronat e disa institucioneve në vlerë prej 20 mijë eurosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në lidhje me mungesën e të akuzuarit Uran Hasani, mbrojtësja e tij, avokatja Mejreme Halili tha që ka kontaktuar me të përmes telefonit dhe i njëjti ka thanë se babai i tij kishte pasur probleme shëndetësore.

Ndërsa, për mungesën e avokates Besjana Ismajli, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Eroll Gashi bëri të ditur se përmes e-mailit zyrtar, e njëjta ka njoftuar gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë prezente në seancë.

Për këtë mungesë, gjyqtari Gashi tha që do duhej të dërgonte zëvendësim.

Po ashtu, në seancën e sotme munguan edhe dëshmitarët Gani Obrazhda, Exhevit Heta dhe Naser Qerkezi.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 dhjetor 2015, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se më 12 tetor 2015, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur për gjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur koktej të molotovit, ku kishin vënë zjarrin automjeteve zyrtare, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të Stacionit Policor Qendra, kishin thyer xhamat e dritareve, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën e këtij objekti.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë Pajtim Kryeziu dhe Fahredin Veliu dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro institucioneve si: Stacionit Policor Qendra, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ-së, Selisë së PDK-së dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *