Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës sërish është përfshirë nga skandalet. Gjatë ditës së djeshme, mediat kanë raportuar për dy skandale në dikasterin që drejtohet nga Donika Gërvalla. Bëhet fjalë për përzierjen e kësaj ministrie në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe humbjen e disa pasaportave të mërgimtarëve.
Fillimisht, gazeta Nacionale ka raportuar për ndërhyrjen e MPJD-së në organizimin e zgjedhjeve.
Në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, kjo ministri ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e misioneve konsullore që të sigurojnë hapësira të reja për votimin e diasporës për zgjedhjet nacionale.
Në kërkesën e MPJD-së për ambasadat, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, kjo ministri kërkon që shefat e misioneve diplomatike të angazhohen për të siguruar palestra sportive e salla në vendet ku janë akredituar për realizimin e procesit të votimit.
Kërkesa në fjalë udhëzon në detaje shefat e misioneve se si duhet të veprojnë në sigurimin e këtyre hapësirave.
“Me qëllim të përmbushjes së obligimit ligjor të MPJD-së, lidhur me organizimin e Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025, kërkojmë nga ju që me prioritet të kërkoni nga autoriteti komunal\rrethi konsull\operator, informacion mbi mundësitë e ofrimit të hapësirave publike ose publiko/private, me apo pa pagesë, me qëllim të realizimit të procesit zgjedhor përmes votimit fizik, nën kontraktimin dhe shfrytëzimin e përfaqësive diplomatike apo posteve konsullore”, thuhet në kërkesën e MPJD-së për misionet diplomatike, të cilën e ka siguruar Nacionale.
Aty specifikohet, se shefat e misioneve diplomatike mund të marrin në shfrytëzim qendra sportive, salla dhe objekte tjera për ditën e votimit.
“Nga autoritet\operatori duhet kërkuar ofrimi i objekteve si: qendra sportive, kulturore, salla, galeri, apo tjetër, të cilat janë të përshtatshme të shfrytëzohen për organizimin e votimit fizik, gjatë ditës së zgjedhjeve, më datë 7 dhe 8 shkurt 2024. Objekti duhet të ketë hapësirë ose dhoma shfrytëzimi”, thuhet në kërkesë.
Po ashtu, gjatë ditës se djeshme mediat kanë raportuar edhe për humbjen e disa dokumenteve të mërgimtarëve.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie që nuk kanë arritur në destinacionet e duhura.
Një gjë e tillë ka ndodhur pasi kompania e kontraktuar “AL DUSHI SH.P.K”, e cila ishte e kontraktuar për shërbimeve postare diplomatike, nuk ka arritur të realizojë dërgesat diplomatike jashtë vendit sipas afateve të përcaktuara.
Ndaj këtij raporti ka reaguar MPJD-ja.
“Në lidhje me raportimet e mediave rreth shkëputjes së kontratës me operatorin ekonomik për ofrimin e Shërbimeve Postare Diplomatike, njoftojmë opinionin publik se operatori ekonomik i cili ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit në muajin qershor të këtij viti, ka shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumenteve. Si pasojë, MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, është thënë në reagimin e ministrisë.
Tutje, sipas MPJ-së, nuk kanë humbur pasaportat e mërgimtarëve.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaron që nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara. MPJD siguron qytetarët e Kosovës se pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se asnjë tolerim nuk do të ketë për operatorët që cënojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”, është thënë në reagimin e MPJD-së.