Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar që komunikimi mes Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila dhe kryeterroristit, Milan Radojiçiç të hetohet nga organet e drejtësisë, meqë në vlerësimin e tij bisedat telefonike janë një skandal për të cilin duhet të ketë një trajtim më të thellë.
“Sepse po flasim në mënyrë të veçantë për kohën kur Milan Radojiçiç ka qenë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ,por edhe të Mbretërisë së Bashkuar. Krejt kjo ka ndodhur në më pak se një vjet, në kohën kur ky terrorist dhe kriminel e ka organizu dhe e ka udhëheqë sulmin terrorist ndaj Kosovës në Banjskë”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për Infokus.
I pyetur për një koalicion të mundshëm për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në mes të PDK-së dhe LVV-së, Krasniqi ka vlerësuar se ndasitë mes dy këtyre partive janë të mëdha.
“E kam të pamundur me pa rrugë që na bën bashkë me Vetëvendosjen. Kjo është përgjigja ime. Si mund të bëhemi bashkë, si dy parti të cilat kanë aq shumë dallime, edhe për të kaluarën, mirëpo sidomos për të ardhmen, që ideologjikisht qëndrojmë komplet ndryshe prej njëra tjetrës në temat e rëndësishme, duke përfshirë ekonominë”, ka shtuar ai.
Duke folur për situatën në Veri të Kosovës, Krasniqi ka potencuar se Qeveria aktuale e Kosovës po e përdor këtë pjesë të territorit të banuar me shumicë serbe për të mbuluar dështimet në fushat e tjera.
“Është diçka që atij i ndihmon për me ia mbulu dështimet e tjera. Unë kam pas thënë prej fillimit që dialogun dhe veriun Kurti i ka pas si qebe, si jorgan. Krejt problemet e Kosovës ai i mbulon se e ngreh jorganin dhe thotë merrnu me veri se jemi të rrezikuar prej luftës dhe kjo është arsyeja e thjeshtë”, ka deklaruar Krasniqi.
Mimoza Kusari – Lila, nuk e ka mohuar bisedën në telefon me kryeterroristin, Milan Radojiçiç, përveç se ka vlerësuar se është evidente se biseda nuk është publikuar në tërësi dhe se ka pasur “shumë ndërprerje”.