Kurti: Po punojmë përditë, vetëm në gjysmën e kësaj dite isha në QKUK e në Malishevë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është drejtuar qytetarëve me një fjalim para fillimit të mbledhjes së Qeverisë. Ai ka thënë se si ekzekutiv po punojnë “përditë” sikur ata në fushëveprimtaritë e tyre.

Kurti iu tregoi qytetarëve se çfarë “vetëm në gjysmën e parë të kësaj dite”.

“Mbledhja e parë e gjashtëmujorit të dytë të vitit. Po punojmë përditë, siç e jetoni dhe përjetoni ju ditën tuaj në fushveprimtarinë tuaj anë e mbanë Kosovës. Vetëm në gjysmën e parë të kësaj dite, me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia përuruam rinovimet 1.2 milionëshe në Klinikën e Urologjisë, e cila ka qenë një prej klinikave me gjendjen më të keqe, e në të cilën nuk është investuar që nga shpallja e pavarësisë, në vitin 2008”, tha Kurti.

Ai tregoi se me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci ishin në Malishevë për korrje-shirje te bujku Asman Kryeziu, për të cilin tha se “djerrinën me 260 metra kub gurë e ka kthyer në 2 hektarë arë me grurë”.

Kurti tha se rendimenti i sivjetmë i grurit pritet ta plotësojë kërkesën e brendshme për konsum.

“Rendimenti këtë vit po duket të jetë i lartë. Pritjet tona janë që prodhimi i grurit të shtohet edhe për 140 mijë deri në 150 mijë ton grurë, që do të thotë se do të mund ta plotësojmë kërkesën e brendshme për konsum, pa pasur nevojë të importojmë apo të varemi nga importi”, tha Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *