Rekomandimi që uji nga Badoci të mos përdoret për pije, harta e zonave që furnizohen nga ky liqen 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka rekomanduar që uji nga Liqeni i Badocit të mos përdoret në këtë periudhë për pije, meqë pas testimit të disa mostrave ka dalë se ka rritje të nivelit të manganit.

Nga IKSHP kanë ndarë hartën e zonave që furnizohen me ujë nga ky liqen. Sipas kësaj harte, nga Liqeni i Badocit furnizohen zonat: Matiqan, Aktas, Albi Mall, Bregu i Diellit, Cagllavica, FshatIi Ndërkombëtar, Gracanica, Hajvalia, Kishnica, Kodrina, Lagja e Spitalit, Lagjija Jone, Lagjia Nic, Lagjia Qendresa, Lagjja e Studenteve, Llapnasella, Lugina e Thellë, Marigona Hill, Mati 1, Preoc, Prishtina e Re, Royal Green Residences, Shashkoc, Shushicë, Ulpiana e re dhe Veterniku, raporton Express.

Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L.

“Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhet ne njoftimin e Institutit.

Bazuar në këto rezultate, IKSHP ka dalë me disa rekomandime për Ujësjellësin “Prishtina”:

Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e Cl rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L, e cila garanton cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik dhe në të njëjtën kohë ndihmon në proceset oksido-reduktive;

Të përcjellet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndares;

Zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit;

Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – gypave magjistral;

Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – segmenteve të vogla;

Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.

Paraqitja e “fenomenit” te Manganit në Liqenin e Badovcit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndrrimit të stinëve. IKSHP ka thene se kjo dukuri në vitin e kaluar ishte shqetësuese, sepse përveç vlerave të shtuara të Manganit 2valent, u shoqërua edhe me kohëzgjatje të këtij fenomeni.

Edhe pse Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *