Një prej dëshmitarëve në vendngjarje ishte shqiptaro-amerikani Vatan Cana. Ai ka regjistruar disa pamje gjate kohës së sulmit. Zëri i Amerikës u lidh me të para disa orësh për të treguar atë që ka pare.Ai i tregoi gazetares Garentina Kraja për skenat kaotike pas të shtenave, përfshirë pamjet e zotit Trump të plagosur ndërsa po largohej nga vendi i ngjarjes.
Përshkrimi i asaj që ka parë“Kemi qenë disa shokë, kemi shkuar nga Nju Yorku deri në Butler. Kur shkuam aty, ka patur goxha njerëz, komunikacion rrugës, ka pasur sigurim shumë, shumë të madh. Derisa kemi hyrë në tubim brenda kemi kaluar nëpër sigurim. Na i kanë kontrolluar të gjitha, edhe trupin edhe çfarë kemi patur me vete. Kur hymë brenda, shkuam më përpara, të them të drejtën ndoshta kemi qenë rreth 100 feet (rreth 30 metra). Duke incizuar, për një moment kemi dëgjuar 2-3 plumba që erdhën nga ana e djathtë e Trumpit, por nga ana e majtë e jona. Ka qenë një fakt shumë interesant se kur kanë shku plumbat, një nga hidraulikët (“fork-lifts”) që i kanë ngritur lart altoparlantët, i ka mëshuar hidraulikut dhe kur plumbi i ka mëshuar aty, ne kemi menduar që “fire department” (zjarrfikësit) e kanë gjuajtur me ujë “shooter” (sulmuesin), por fluidi (lëngu) ka rënë gjithkund, nëpër publik. Pas asaj kemi dëgjuar edhe 2-3 shots (të shtëna) tjera. Kur ka ndodhur kjo, i gjithë tubimi ka rënë poshtë në tokë. Gjithë populli ka rënë poshtë në tokë. Secret Service (shërbimet sekrete) na thonin “uluni poshtë, uluni poshtë”. Me një moment jemi ngritur të gjithë, por sa jemi ngritur, një tjetër nga secret service (shërbimet sekrete) na thoshte rrini poshtë se mund të ketë një gjuajtje tjetër. Kur populli e ka dëgjuar atë fjalë, të gjithë kanë filluar të vrapojnë, filluan të qajnë. Kishte fëmijë, njerëz. Ka qenë një skenë shumë e frikshme se nuk dihej se çfarë do të ndodhte tjetër”.