BE reagon pasi udhëtarët shqiptarë u bllokuan të premten pasi hynë në territorin e Serbisë

Persona të maskuar në Serbi vendosën barrikada në pikëkalimet kufitare me Kosovën duke ia penguar selektivisht lirinë e lëvizjes vetëm qytetarëve të etnisë shqiptare. Këto veprime që fillimisht u paralajmëruan nga disa persona që u prezantuan si organizata joqeveritare nisën të premten e përfunduan të shtunën. Në Kosovë pati ankesa për mosreagim nga ana e Bashkimit Europian, megjithatë Unioni reagoi sot në një përgjigje për Gazetën Express.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se nuk është as tubim paqësor e as e drejtë demokratike që persona të maskuar të frikësojnë udhëtarët, ndërsa ia ka kujtuar Serbisë përgjegjësinë e marrëveshjeve të dialogut për lirinë e lëvizjes.

Liria e tubimit paqësor, duke respektuar ligjin, është absolutisht thelbësore në çdo demokraci. Megjithatë, personat e maskuar në Serbi, pranë pikave të përbashkëta të kalimit, që bllokojnë trafikun që vjen nga Kosova dhe frikësojnë udhëtarët, nuk bëjnë pjesë në këtë kategori. Marrëveshja e dialogut e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes përcakton qartë parimin e udhëtimit të lirë brenda ose përmes territorit të palës tjetër. Është përgjegjësi e secilës palë që t’i zbatojë ato dispozita në territorin e saj, në këtë rast Serbisë”, ka thënë Stano.

Pikëkalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë iu kthyen normalitetit pasi personat e maskuar në Serbi hoqën barrikadat. Edhe Kosova liroi pikat që i mbylli në përgjigje të selektimit racist nga ana e serbëve protestues.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të shtunën pasdite doli me një lajmërim, ndërsa tha se duan rend e ligj në çdo cep të vendit.

“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak. Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë”.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, kishte thënë se Policia e Serbisë u bë bashkëfajtore me personat e maskuar meqë derisa ata bënin selektimin se kush të kalojë, policia nuk kishte ndërhyrë.

“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet”, kishte shkruar Gërvalla të premten.

Organizatorët e bllokadave thanë të premten se duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.

Ata thanë se ndërmorën këto veprime si përgjigje e mbylljes së pesë komunave paralele të Serbisë në komunat veriore.

Disa prej tyre kanë paralajmëruar se do të presin deri në fund të këtij muaji të shohin nëse këto kërkesa do të plotësohen nga Kosova në të kundërtën  do të ketë bllokadë të re kufitare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *