Atë që deri tani s’ka arritur ta bëjë Berlini: ta bindë Kurtin për t’i hequr masat ndaj disa mallrave nga Serbia, ka tentuar ta realizojë edhe Brukseli. Sipas një njoftimi nga Qeveria, Kryeministri Kurti s’ka hequr dorë nga refuzimi i ofertës së negociuar nga Gjermania. Qeveria thotë se ka pranuar që Kosova të përfaqësohet me asterisk në CEFTA, ndërsa masat ndaj disa lëndëve të para nga Serbia i lidh me institucionet tjera të Kosovës. Pikërisht për këtë gjermanët kanë kërcënuar se bashkëpunimi rajonal do të vazhdojë pa Kosovën. Zyrtarit për Zgjerim të Bashkimit Europian, Gert Jan Koopman, i tha se “pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia”.
Emisari gjerman, Manuel Sarrazin, erdhi dy herë në Kosovë në përpjekjet e tij për të bindur kryeministrin Albin Kurti që të heqë ndalesën për importin e mallrave serbe në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit dhe të mos shkelë parimet e CEFTA-s. Përpjekja e tij dështoi, por u la paralajmërimi se Kosova rrezikon përjashtimin nga nismat rajonale tregtare. Për këtë temë Kurtit iu desh të flasë në Bruksel me një zyrtar të lartë të BE-së për zgjerim ku udhëtoi për të marrë pjesë në një drekë pune të shtruar nga presidentja e Komisionit Europian për liderët e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Albin Kurti sot u prit në një takim nga drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Europian, Gert Jan Koopman. Këtë takim Kurti e shfrytëzoi për ta përforcuar qëndrimin e tij se ndalesa për importin e mallrave serbe lidhet me sigurinë e Kosovës dhe në këtë drejtim ai tha se këtë sfidë do që ta adresojë bashkë me partnerët perëndimore meqë e përfshirë është edhe Rusia. Megjithatë, Kurti atje ka thënë se Kosova është e interesuar që Tregu i Përbashkët Rajonal të funksionalizohet.
Përveç çështjeve tjera të ndërlidhura me procesin e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Zyra e Kryeministrit tha se temë diskutimi mes tyre ishte edhe “për nevojën e funksionalizimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, mbi parimet e pjesëmarrjes së barabartë për të gjitha shtetet e rajonit”.
“Kosova është e interesuar që Tregu i Përbashkët Rajonal të funksionalizohet, sidomos tani kur shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit”, citohet të ketë thënë Kurti.
Ai shtoi se kjo duhet arritur duke avancuar në drejtimin e afrimit të rajonit me standardet europiane, si ato në fushën e ekonomisë, ashtu edhe ato në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
“Ai [Kurti] theksoi se për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia dhe të cilin tha se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve të shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë”.
Zyrtarë gjermanë kanë paralajmëruar se bashkëpunimi rajonal sic është rasti me Tregun e Përbashkët Rajonal mund të vazhdojë pa Kosovën, nëse vazhdon këmbëngulja e saj në këtë qëndrim.
Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, erdhi më 29 gusht në Prishtinë në kuadër të një vizite më të gjerë rajonale mbi përgatitjet për takimin e radhës të Samitit të Berlinit që do të mbahet në tetor.
Në këtë takim, Kurti e priti atë bashkë me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndërsa aty i kishte thënë se “është e rëndësishme që para samitit të radhës të arrijmë jo vetëm marrëveshje të reja por edhe të sigurojmë zbatimin e marrëveshjeve që tashmë kemi nënshkruar”.
Kurti ia kishte përmendur Sarrazinit edhe faktin që Kosova s’u përfshi në nismat rajonale që u krijuan si paralele të Procesit të Berlinit.
Pas kësaj vizite, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kishte njoftuar se Sarrazin ka ardhur prapë në Kosovë për të vazhduar punën në bindjen e Kurtit që të heqë dorë nga ndalesa e mallrave serbe.
Rohde tha se bashkëvendësi i tij, Sarrazin, erdhi për të bërë kompromis për CEFTA-n, por tha se kjo përpjekje ishte e pasuksesshme.
Ambasada gjermane shpalosi edhe njëherë këtë qëndrim dy ditë më parë në një përgjigje për Gazetën Express, duke lënë të kuptohet se s’ka bindje të Qeverisë së Kosovës që nga vizitat e Manuel Sarrazin.
“Natyrisht, politika e ftesave e Procesit të Berlinit nuk do të ndryshojë dhe ne shpresojmë që Kosova të vazhdojë të marrë pjesë. Megjithatë, nëse Kosova vazhdon të bllokojë çdo përparim të mëtejshëm në Tregun e Përbashkët Rajonal, ne do të gjejmë një mënyrë për të vazhduar këtu pa Kosovën”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës gjermane, Christian Bottcher, për Gazetën Express.
Gjermania i ka ofruar Kosovës një marrëveshje që nëse pranon të heqë ndalesën ndaj mallrave serbe në CEFTA do të përfaqësohet vetë dhe jo nga UNMIK siç ka qenë deri tash. Dhe tashmë këtë ofertë nëse do ta pranojë ose jo është në dorë të Kosovës.
“Kjo përfshin zhbllokimin e vendimmarrjes së CEFTA-s. Gjermania ka negociuar një marrëveshje paketë për të hequr UNMIK-un nga vendimmarrja e CEFTA-s, në mënyrë që Kosova të përfaqësojë vetveten. Në të njëjtën kohë, Kosovës i kërkohet të heqë ndalimin e importit të mallrave nga Serbia. Nëse një zgjidhje për CEFTA-n bëhet e pamundur nga Kosova, atëherë do të ndodhë pa të. Do të jetë vendimi i Kosovës në cilat pjesë të bashkëpunimit rajonal do të vazhdojë të marrë pjesë”, ka shtuar Bottcher.
Në anën tjetër, Serbia po thotë se ka pranuar “gjithçka në këtë drejtim” dhe se dëshiron të jetë pjesë e tregut të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po ashtu ishte pjesëmarrës në drekën e punës të von der Leyen, nga Brukseli ka folur për këtë çështje.
“Këtu ai që nuk dëshiron të marrë pjesë del nga loja, ndërsa të tjerët qëndrojnë në lojë. Ne mbetemi në lojë dhe kemi pranuar gjithçka në këtë drejtim. Ne duam një Ballkan të hapur Perëndimor, duam hapjen e kufijve, qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve”, tha ai.
Më pas kur nga gazetarët u pyet për ultimatumin gjerman për Kosovën lidhur me CEFTA-n, Vuçiq tregoi që lidhur me këtë çështje është zhvilluar dje në Bruksel një takim tjetër nga Manuel Sarrazin e ku ka marrë pjesë edhe sekretari i Ministrisë së Financave të Serbisë, Gojo Stanivukoviq.
“Këtu në Bruksel po zhvillohet një takim në një nivel tjetër në mes të Manuel Sarrazin, në atë takim po merr pjesë edhe Gojko Stanivukoviq. Pres thirrjen e tij për të më njoftuar se çfarë ka ndodhur në atë takim”, ka thënë Vuçiq.
“Ne i kemi plotësuar të gjitha kërkesat, të gjitha ato që kemi diskutuar me gjermanët për një kohë të gjatë”. Jo e lehtë, shumë e vështirë për ne. Por ideja jonë është që të kemi linja të hapura komunikimi, të kemi një qarkullim të lirë të mallrave, kapitaleve, shërbimeve, gjithçkaje. Serbia nuk do të heqë dorë nga kjo politikë. Disa të tjerë nuk kanë një politikë të tillë. Do të shohim se si do të përfundojë gjithçka”.