Paneli për Lirim me Kusht i përbërë nga Valdete Daka- kryesuese dhe anëtarët- Burim Ademi dhe Besim Zllashi, më 24 korrik 2024 kishin marrë vendim për lirimin e Vesel Bunjakut me kusht, dy vite, dy muaj e pesë ditë para përfundimit të dënimit. Bunjaku ishte në vuajtje të dënimit për shkak të veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”.
Por, vetëm 34 ditë pasi u lirua, ndodhi ngjarja mes familjeve “Sekiraqa” dhe “Gashi”- të njohur si Capat, ku mbeti i vdekur Premtim Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Vesel Bunjakut, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës më 12 shtator 2024 nën dyshimin se ka manipuluar me prova në rastin e vrasjes së Premtim Gashit, pas të shtënave me armë zjarri mes familjeve “Sekiraqa” dhe “Gashi” – të njohur si Capat, më 1 shtator në lagjen “Aktash” në Prishtinë. Dyshohet se kishte fshehur dy armë pas të shtënave mes dy grupeve.
Por, lidhur me rastin për të cilin ishte në vuajtje të dënimit, në vendimin e Panelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ishte vendosur që Bunjaku të lirohej nga 29 korriku 2024 dhe do të ishte nën mbikëqyrje të Shërbimit Sprovues të Kosovës deri më 29 shtator 2026.
Po ashtu, me aprovimin e kërkesës së Bunjakut për lirim me kusht, i njëjti ishte obliguar që brenda pesë ditëve nga data e lirimit nga institucioni korrektues, të lajmërohet në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës, përkatësisht në Shërbimin Sprovues nën disa kushte.
“1. të raportojë rregullisht në Shërbimin Sprovues deri me datën 29.09.2026; 2. në rast të ndërrimit të vendbanimit ta njoftoj Policinë dhe Shërbimin Sprovues; 3. të mos tentojë që të udhëtojë jashtë shtetit, pa miratimin e Panelit për Lirim me Kusht; 4. të jetë me i kujdesshëm me sjelljet e tij në të ardhmen”, thuhet në vendimin e PLK-së.
Fillimisht, në vendim të Panelit theksohet se Bunjaku më 30 nëntor 2018 ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 5 vite e 6 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë” nga neni 179, par.1, pika 1.4 dhe 1.6 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 28 mars 2019, kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe vendimin mbi dënimin, ashtu që i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 11 vite e 6 muaj dhe gjeti se në veprimet e të dënuarit qëndrojnë elementet e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasjë e rëndë” nga neni 179, par.1, pika 1.6 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.
Më pas, thuhet se në seancën Panelit, ishte shqyrtuar raporti i ekipit profesionist të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe pas vlerësimit të të dhënave të paraqitura në këtë raport, Paneli ka gjetur Bunjaku, është dënuar me 11 vite e 6 muaj burgim dhe se i kanë mbetur edhe 2 vite, 2 muaj e pesë ditë burgim.
“Në raportin ligjor për të dënuarin vërtetohet se të dënuarit, data e përfundimit të dënimit i është caktuar më 29.09.2026 dhe nga llogaritja e dënimit rezulton se nga dënimi prej 11 vite, 6 muaj të dënuarit i kanë mbetur edhe 2 vite, 2 muaj, 5 ditë, të cilat do të mbikëqyren dhe kontrollohen nga Shërbimi Sprovues i Kosovës”, thuhet në vendimin e Panelit.
Në vendim thuhet se nga raportet e përpiluara nga ekipi profesionist i Qendrës Korrektuese, rezulton se Bunjaku ka treguar sjellje të mirë, përkatësisht nuk ka të dhëna për shkelje të reja disiplinore. Po ashtu, ky ekip vlerësoi se “procesi i risocializimit është duke u arritur”.
Paneli gjatë seancës konstatoi se të dënuarit i është refuzuar dy herë kërkesa për lirim me kusht.
“Nga shqyrtimet paraprake të kërkesave për lirim me kusht rezulton se i dënuari ka përmirësuar sjelljet e tij, përkatësisht nga shqyrtimi i parë i kërkesës për lirim me kusht nuk ka të dhëna për shkelje të reja disiplinore. Në të dhënat për realizimin e programit për trajtimin e të dënuarit, është konstatuar se i dënuari është shfrytëzues i pushimit jashtë institucionit”, thuhet në vendimin e Panelit.
Gjatë shqyrtimit të kërkesës, Paneli ka vlerësuar edhe premtimin që Bunjaku ia ka dhënë zyrtarit të Shërbimit Sprovues se do të bashkëpunojë me ta deri në përfundimin e mbikëqyrjes së lirimit me kusht dhe se me një mbikëqyrje efektive i njëjti me lehtësi do të ri-integrohet në familje dhe shoqëri në pajtim me ligjin.
Në fund, Paneli kishte konstatuar që mbajtja e dënimit kishte arritur qëllimin e dënimit, pasi Bunjaku kishte mbajtur më shumë se 2/3 e dënimit që nga data 29 nëntor 2022.
Andaj, Vesel Bunjaku u lirua me kusht më 29 korrik 2024 nën kushtet e lartrpërmendura.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës më 3 shtator 2024 ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Korab Gashit, Valdrin Ademit, Robert Llumnicës, Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit, të dyshuar për rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator në lagjen Aktash në Prishtinë.
Detajet nga dosja e Prokurorisë për këtë rast, mund t’i gjeni: KËTU.
E viktimën e vrasjes në Aktash, tani të ndjerin Premtim Gashi, PLK-ja e kishte liruar 19 ditë para ditës kritike.