Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre.
Ndihmën e Policisë së Kosovës e ka kërkuar edhe një grua në Gjilan, e cila ka raportuar të zhdukur vajzën e saj.
Nga burime të sigurta, gazeta neutral mëson se nëna ka deklaruar se vajza e saj pasi ka përfunduar një seancë gjyqësore për shkurorëzim, ka shkuar në shtëpinë e burrit për të marrë rrobat e saj. Bazuar në dëshminë e saj, viktima më pas ka dalë nga shtëpia e burrit dhe më nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.
Përballë kësaj situate, familja vendosi që ta njoftojë Policinë.
Denoncimi i nënës ka aktivizuar njësitet policore, me ç’rast është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të nisin hetimet për gjetjen e 29-vjeçares dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.