‘Nuk ka fakte, spekulime’: Si reagoi Qeveria ndaj Osmanit e cila tha se Martin Berishaj është mirë të largohet?

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Guxo nuk sheh arsye për ta shkarkuar nga detyra të dyshuarin për skandal financiar, ambasadorin në Kroaci, Martin Berishaj, ani se një kërkesë të tillë, së fundit e ka pasur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Gjatë kësaj jave, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kur u pyet në lidhje me këtë çështje, tha se nuk ka pasur gjetje për keqpërdorim të detyrës apo ndonjë vepër tjetër.

“Ne kemi thënë qëndrimet tash e sa kohë për ambasadorin Berishaj, ka pasur një Komision Hetimor që nuk u gjet asgjë, duhet të merren parasysh këto aspekte. Në anën tjetër, vlerësojmë që nuk ka pasur aq keqpërdorim të detyrës zyrtare, as pasurim të pabazë, as pasurim material.” – ka thënë ajo, transmeton Nacionale.

Madje, Haxhiu i ka kujtuar Osmanit kohën kur edhe vetë ajo, njëjtë si Qeveria, mbronte ambasadorin Berishaj.

“Kemi folur disa herë për të, edhe Kurti edhe Gërvalla, edhe presidentja Osmani më herët, nuk kam se çka t’i shtoj deklaratave tona.” – tha ministrja e Drejtësisë.

Një qëndrim të ngjajshëm ka edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila deklaroi se është padrejtësi që Berishaj të shkarkohet për shkak të “spekulimeve në media”.

“Kemi biseduar atëherë kur u ngritën disa spekulime mediale, me kërkesë të saj dhe kryeministrit, kam kërkuar nga institucionet në shtete të ndryshme se a ka fakte, a ka dëshmi. Nuk ka pasur fakte dhe dëshmi, prandaj ne nuk e kemi shkarkuar një ambasador, nuk mund ta shkarkosh vetëm për spekulime mediale, duhet të bazohesh në dicka, është padrejtësi e madhe bazuar në disa media që spekulojnë për gjithçka.” – u shpreh ajo në “DPT te Fidani” transmeton Nacionale.

Tutje, Gërvalla shtoi:

“Prej atij momenti nuk kemi folur më për këtë temë, unë në vazhdimësi kam qenë shumë e kujdesshme sa herë që është ngjallur disi ky debat në media, ka qenë edhe në Komisionin Parlamentar ku ka biseduar me deputetët, që janë ndarë të kënaqur, kanë lavdëruar prezencën e tij.

Sa herë ngjallet ky debat ngapak, sigurohem që nuk kemi fakte të reja, nuk kemi as të reja as të vjetra, ne vazhdojmë me ambasadorin Berishaj, por spekulimet…”.

Qëndrimet e Osmanit

Osmani gjatë një interviste të dhënë të dielen në “Kallxo”, pati një qëndrim ndryshe nga sa kemi parë rreth rastit të ambasadorit, që dyshohet për skandal financiar në energji.

Presidentja e vendit deklaroi se ai është mirë që të largohet nga detyra:

“Është mirë të largohet. Unë dua që institucionet e drejtësisë të japin fjalën e vet dhe më e mira në raste të tilla dhe më e mira do ishte që derisa të kryheshin procedura të tilla ai të largohej nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja me shkarku dikë në krye në vete sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërku që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai me u tërheq vet. Në takime të përbashkët që i kemi bë, kryesisht Ministrisë së Jashtme”.

Osmani në kohën kur ishte zbuluar skandali financiar me Martin Berishajn, kishte sulmuar mediat dhe i kishte dalë në mbrojtje ambasadorit Berishaj.

“Kjo s’është pyetje, është konstatim. Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë se cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore…” – kishte thënë ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *