Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka thënë se Serbia është fajtor kyç që Kosova ende nuk ka arritur që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
Për, këtë, ajo ka kërkuar që Kosovës t’i jepet më shumë vëmendje për siç ka thënë forcimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Deputetja e pushtetit e ka të vështirë ta parashikojë kohën se kur Kosova do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, ani pse ka thënë se kaherë janë plotësuar kushtet. Andaj, Statovci ka kërkuar që Serbia të mos “ledhatohet”.
“Është vështirë për ta parashikuar, mirëpo unë mbështes pra faktin që marrëveshja si marrëveshje, duhet të qëndrojë në kuadër të tërësisë së saj dhe obligimeve që kanë marrë dy shtetet. Çështja e Këshillit të Evropës, duhet të qëndrojë në kuadër të misionit të saj dhe obligimeve që kanë shtetet në raport me të drejtat e njeriut, fuqizimin e të drejtave, në kuadër të grupeve minoritare të gjitha mekanizma mbikëqyrës që pastaj sjell Këshilli i Evropës, për tu siguruar që të gjitha këto implementohen. Fuqizimin e subjektivitetit të mëtutjeshëm ndërkombëtar edhe të Kosovës dhe besoj se kjo duhet të jetë korniza mbi të cilën operon dhe duhet të ishte parë ky proces sepse ka një mision fisnik, është një prej organizatave më të vjetra që ka në thelb të drejtat e njeriut dhe duhet parë në kuadër të shumicës popullatë dhe në kuadër të grupeve minoritare”, ka thënë Statovci.
Statovci, ka thënë se Serbia është një nga fajtorët kyç që Kosova ka ngecje në anëtarësim në Këshillin e Evropës. E po ashtu edhe ShBA dhe BE, të cilat nuk marrin masa në ndëshkim ndaj shtetit serb, njashtu si vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës.
“Kosova vazhdimisht i ka kontribuuar një klimë në raport me normalizimin e raporteve dhe finalizimin në kuadër të një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ne e dimë që raportet tona me Serbinë vazhdojnë të jenë raporte armiqësore, ku Serbia nuk është tërhequr nga pretendimet e saj edhe destruktive”, ka thënë ajo.
Ndërsa, një ‘ledhatim’ siç e quan deputetja, të ShBA-së dhe BE-së ndaj Serbisë, po ndikon që të dënohet Kosova si dhe po krijohet një pamundësi e stabilitetit dhe paqes në regjion.
“Kryeministri Kurti, ka shprehur gatishmëri që të nënshkruajë një marrëveshje, mirëpo si një proces i cili udhëhiqet nga një mosbesim, sepse kemi një palë që tashmë një marrëveshje të cilën ishte dakorduar, veçse ka shkelur në tetë pika ka dërguar letër zyrtare që tërhiqet nga kjo marrëveshje, gjithashtu dhe në kuadër të letrës nënvizon edhe pretendime të saj në kuadër të mos respektimit të integritetit territorial. Kështu që, qasja e tyre armiqësore-destruktive vazhdon, unë besoj që vetëm vëmendja e forcuar dhe e fokusuar ndaj Kosovës dhe fuqizimi i Kosovës dhe më shumë vëmendje ,për ta mos ledhatuar deri në këtë pikë Serbinë, krijon një normalitet dhe një normalizim që i kontribuuon pastaj stabilitetit edhe paqes në rajon”, ka thënë Statovci.
Deputetja ka thënë gjithashtu se Kosova përmes rënies në dakordancë me marrëveshje ka kryer obligimin e saj ligjor, mirëpo në rast kur Serbia refuzon të nënshkruajë, kjo ndikon në shkelje të integritetit territorial dhe mos-respektimi të sovranitetit. Madje ndikon edhe në bllokim të institucioneve për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare dhe zhvilluar tutje.
“Kosova ka pra një dakordancë të cilën kërkon që ta formalizojë dhe pastaj palët konform asaj dakordance ligjore që merr formën e saj finale edhe me kuadër të nënshkrimit marrin obligime dhe vazhdojnë drejt një normalizimi të plotë që ka të bëjë me parimet në të cilat kemi probleme. Pra kur respektohet sovraniteti, respektohet integriteti territorial, largohen pretendimet ndaj njëra tjetrës nuk bllokohen institucionet në kuadër të përpjekjeve të tyre për tu anëtarësuar në mekanizma”, ka thënë Statovci.