Këto janë krejt vendimet që miratoi Qeveria në mbledhjen e fundit

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, ku janë miratuar disa nisma të rëndësishme që prekin sektorët vitalë për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Në mbledhjen e sotme, u miratua nisma e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për negocimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

Sipas kësaj marrëveshjeje, qytetarët e të dyja shteteve do të përfitojnë nga të drejtat e tyre në pensionet kontribut-paguese, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës.

Gjithashtu, Qeveria ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentimit Nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2016.

Ky amendament parasheh zgjatjen e afatit për zbatimin e programit vjetor IPA 2016 për dy vite shtesë, me qëllim të realizimit të projekteve që kanë hasur në vonesa.

Në mbledhje u aprovua edhe Rregullorja e re e Punës së Qeverisë, e cila synon të sigurojë një komunikim më të lehtë dhe më transparent me publikun në kuadër të procesit të vendimmarrjes.

Kjo rregullore është pjesë e përkushtimit të Qeverisë për të qenë sa më afër qytetarëve dhe për të përmirësuar efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e saj.

Raporti për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit për Kundërvajtje u aprovua gjithashtu, duke nxjerrë në pah sfidat kryesore në fushën e kundërvajtjeve dhe duke analizuar zbatimin dhe harmonizimin e ligjit në fuqi.

Përveç këtyre, u ndanë fonde të konsiderueshme për projekte në sektorë të ndryshëm:

– 2,870,000.00 euro për “Programin për Zhvillim Rajonal”, që do të përdoren për mbështetjen e 25 projekteve kapitale në 25 komuna.
– 300,000.00 euro për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
– 200,000.00 euro për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
– 100,000.00 euro për “The Kosovo American Education Fund”, në përpjekje për promovimin e Kosovës.

Vendimet tjera përfshijnë miratimin e vendimeve për shpronësim për interes publik të projekteve të ndryshme infrastrukturore dhe ndërtimore si dhe shpërbërjen vullnetare të “Ndërmarrjes së Re Energjetike e Kosovës (NKEC)” Sh.A., pasi projekti për termocentralin e ri nuk është realizuar.

Raporti i Performancës për Ndërmarrje Publike për vitin 2022 u miratua gjithashtu, së bashku me Planin e Menaxhimit të Pellgut Lumor Drini i Bardhë, i cili ka për objektiv zhvillimin e burimeve ujore të Kosovës.

Në fund, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe emërimin e komisionit ad hoc për vlerësimin e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.

Qeveria e Kosovës përfundon me angazhimin për të vazhduar punën drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social, gjithnjë me synimin për të qenë në shërbim të qytetarëve të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *