Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur ministrit të Infrastrukturës, bashkëpartiakut të tij Liburn Aliu, i cili tha se Qeveria e Kosovës dhe kreu i saj bënë gabim që e mbështetën publikisht Partinë për Veprim Demokratik në zgjedhjet në Luginën e Preshevës.
Kurti tha se LVV-ja i merr vendimet në organet e veta, ndërsa shtoi se ai flet edhe se kush duhet mbështetur edhe në BE e SHBA, “e lëre më në Ulqin e Preshevë”.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka qëndrimin e qartë dhe i merr vendimet në organet e veta. Ne e kemi mbështetur edhe Shaip Kamberin në zgjedhjet parlamentare. Aty nuk ka qenë vetëm një bllok, kanë qenë dy blloqe, dhe ne jemi përcaktuar për ta mbështetur aso kohe bllokun të cilit i ka prirë Shaip Kamberi”, tha Kurti para gazetarëve, kur iu kërkua koment për deklaratën e Aliut.
“Unë jam kryeministër i Republikës, por njëkohësisht edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ju e dini që unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në Bashkimin Evropian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e lëre më në Ulqin e Preshevë. Por, jo vetëm kaq”, tha ai.
Kurti tha se të gjitha partitë në Kosovë e Shqipëri mbështesin parti të caktuara jashtë vendit.
“Duhet theksuar se të gjitha partitë në Kosovë dhe në Shqipëri, në një mënyrë a një tjetër, kush më shumë e kush më pak, mbështesin parti të caktuara, por unë e bëj këtë hapur”, tha ai.
Kurti tha se beson se kjo që ai bën “është shumë mirë”, ndërsa ia uroi fitoren në Preshevë, këshilltares së tij, Ardita Sinanit.
“Dhe jam i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si rezultat i partive politike shqiptare, me ç’rast, në Preshevë, konkretisht, ia uroj fitoren Ardita Sinanit”, tha Kurti.
Liburn Aliu tha mbrëmë se ishte gabim animi i Qeverisë së Kosovës për një parti politike për zgjedhjet në Luginë të Preshevës, duke përmendur faktin se vetë vjen nga Lugina.
“Pavarësisht orientimit dhe simpatisë personale, po mendoj se kjo ka qenë gabim dhe veprim i gabueshëm”, tha ai.
Aliu tha se Kurti ka bërë gabim edhe me pjesëmarrjen e tij në një tubim elektoral të PVD-së në Prishtinë para zgjedhjeve, pasi tha se ai duhej të ishte përbashkues.
“Ky ka qenë gabim dhe ky duhet të rregullohet sa më parë”, tha Aliu.