Kurti iu çon ftesë për darkë pune liderëve opozitarë: Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj ende pa përgjigje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur siç duket t’i ulë tensionet me opozitën, duke i ftuar për të hënën në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare. Në letrën që ua ka dërguar Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt nuk bëhet fjalë për caktim të datës së zgjedhjeve dhe as për shpërbërje të Kuvendit.

Aty tregohet se do të diskutohet për hapat rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror të Kuvendit.

Në letrën drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, tregohet qëllimi i kësaj darke, e cila pritet të mbahet më 13 maj në orën 18:30 në një nga hotelet e kryeqytetit.

“Unë jam i vetëdijshëm se subjekti juaj opozitar ka rezervat e veta për pjesëmarrje në procesin e votimit në Kuvendin e Republikës, por besoj pozitivisht se kjo nuk e parandalon pjesëmarrjen tuaj dhe diskutimin tonë të përbashkët për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror”, thuhet në letrën e Kurtit dërguar kreut të LDK-së.

E njëjta letër i është dërguar edhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe atij të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Deri me tani askush prej liderëve në fjalë nuk e ka konfirmuar e as refuzuar pjesëmarrjen në këtë darkë.

Gjatë këtij viti, liderët opozitarë vazhdimisht kanë thënë se me kryeministrin Kurti takohen vetëm për caktim të datës zgjedhjeve dhe shpërbërjen e Kuvendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *