Janë deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjëllës në Kuvend, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe deputetët e LVV-së, Fitore Pacolli, Sali Zyba dhe Drita Millaku. Në seancën fillestare të mbajtur të martën, u bë e ditur se atyre i është parashkruar vepra “Pengim i personit zyrtar”.
Mëngjesi i së martës i gjeti në gjykatore, Ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe deputetët e LVV-së, Fitore Pacolli, Sali Zyba dhe Drita Millaku, për tu përballuar me akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend më 2018.
Meqë të njëjtit në seancën e kaluar kishin deklaruar se nuk kanë nevojë për avokat, atyre u caktua nga një sipas detyrës zyrtare.
E në seancën fillestare u bë e ditur se ndaj tyre do të rëndojë një vepër penale më pak.
“Gjykata informon se për veprë penale “pengim i personit zyrtar në kryerje e detyrave zyrtare, kjo landë e ka arrit parashkrimin pasi që dyshohet se është kry me datën 21.03.2018 ndërsa parashkrimin e ka arritë më 21.03.2024, prandaj seanca vazhdon vetëm për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, tha qytetari, Sabit Sadikaj.
Për akuzat që u ngarkohen, të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm.
“s’jam fajtor”, u shpreh ministri Xhelal Sveçla.
“deklarohem se jam e pafajshme kam vepru nën betimin si deputete e RKS që të punoj në interes të vendit tim”, tha deputetja, Fitore Pacolli.
“nuk e ndiej vetën fajtor”, u shpreh deputeti i VV-së, Sali Zyba.
“unë kurrësesi nuk e konsideroj vetën fajtore”, deklaroi deputetja e LVV-së, Drita Millaku.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e LVV-së, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës teksa po tentohej të votohej demarkacioni me Malin e Zi.