Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Veriut, (NJRHKEK), ka arrestuar një person të dyshuar për kryerje të veprave penale “ Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe ‘’Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”.
I njëjti nga Interpoli i Greqisë kërkohet për disa vepra të rënda penale, si: ‘Krimi i organizuar’, ‘Grabitje’, ‘Detyrim’, ‘Lëndim të rëndë trupor’, ‘Dhënie e deklaratave false’, ‘Posedim ilegal të eksplozivit dhe mjeteve shpërthyese’, ndërsa nga Interpol i Malit të Zi kërkohet për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.
“Si rezultat i bashkëpunimit të njësive të lartcekura policore me zyrtarët kompetent të ARC-së dhe zhvillimit të punëve intensive, operative dhe hetimore në koordinim me prokurorin e shtetit, me datën 22.03.2024, në qendrën për pajisje me dokumente në komunën e Zubin Potokut është arrestuar një person i dyshuar me të dhëna të rreme i cili ka tentuar të pajiset me dokumente personale pasaportë dhe patentë shoferi”, thotë policia, njofton Klankosova.tv.
Personi i dyshuar (i njëjti), tashmë me datën 07.06.2013, përmes dokumenteve të falsifikuara është regjistruar me të dhëna të rreme si D. B. i lindur në vitin 1980 në Mitrovicë si shtetas i Kosovës, ku edhe është pajisur me dokumente personale të RKS-së si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shoferi.
Ndërsa me datën 05.01.2024, personi i dyshuar me të dhënat e lartcekura është paraqitur për aplikim në Zubin Potok për të vazhduar afatet kohore të dokumenteve personale të Republikës së Kosovës, ku gjatë verifikimit të dokumenteve që i dyshuari NN i ka paraqitur me rastin e aplikimit, NJRHKEK-Mitrovicë e Veriut, ka ardhur deri tek një dyshim i bazuar se i dyshuari NN ka marrë identitet të rremë si shtetas i RKS-së.
Lidhur me rastin me qëllim të vërtetimit të identitetit të saktë të personit të dyshuar, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtarë për Zbatim të Ligjit – ILECU, përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografive, ka pranuar raport nga Interpoli ku ka rezultuar se gjurmët e gishtërinjve përputhen me personin në arrati me iniciale G. S. (viti 1977) në Greqi.
Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kompetent, i cili të dyshuarit i ka caktuar masën e ndalimit policor, dhe pas masës së ndalimit policor, personit të dyshuar me vendim të gjykatës I është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.