Në dy ditët e fundit veriu i Kosovës është “vërshuar” me vizita të zyrtarëve të Qeverisë. Këto vizita janë shoqëruar me kamera që më pas video të shumta të postohen në rrjete sociale.
Nga pamjet e publikuara shihet kryeministri Albin Kurti dhe disa ministra të tij duke “sfiluar” e “pozuar” në këtë pjesë të vendit.
Ky i fundit, nën masa të rrepta sigurie ka vizituar Komunën e Leposaviqit, Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe fshatin Basnjkë të Zveçanit, vendin ku ka ndodhur sulmi më 24 shtator të viti të kaluar.
Gjatë kësaj vizite, ai ka marrë pjesë edhe në përurimin e lapidarit të policit Enver Zymeri, i cili është vrarë në krye të detyrës më 26 korrik të vitit 2011.
Përveç forcave të shumta policore, në këtë vizitë kryeministrin e shoqëronin edhe disa ministra.
“Në Leposaviq, Banjskë të Zveçanit, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe në lagjen Kroi i Vitakut. Patëm takime dhe biseda me kryetarin Lulzim Hetemi, anëtarë të kuvendit komunal të komunës që ai drejton, policë në krye të detyrës në Banjskë, zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin Civil në Zubin Potok, dhe kryetarin Erden Atiqi në Mitrovicë të Veriut. Sot nuk ishte ditë e zakontë. Në ditëlindjen e 45-të të Heroit të Kosovës, policit Enver Zymeri, përuruam lapidarin kushtuar atij, në vendin ku heroikisht ra në krye të detyrës më 26 korrik të vitit 2011. Përkrah meje ishte djali i tij, Sokoli, e përkrah lapidarit valon flamuri i Republikës”, ka shkruar kryeministri Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se qeveria është në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
U ndalëm edhe në vendpunishtet e shtëpive të reja që po ndërtohen me mbështetjen e Qeverisë. Në lagjen Kroi i Vitakut, na mirëpritën pjesëtarë të familjes Avdyli, Istrefi e Behrami që dukeshin aq të ngazëllyer sa edhe shpreheshin të lumtur për shtëpitë e tyre të reja. Një ditë më parë ndamë edhe katër milionë euro shtesë për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok për komunitetet joshumicë në komuna. Qeverisja është shërbim pa dallim dhe pa privilegje. Republika është e të gjithë qytetarëve. Qeveria jonë është për të gjithë qytetarët”, ka shkruar ai.
Sveçla dhe Haxhu “pozojnë” nga vila e Radoiçiqit
Pas vizitës së kryeministrit Kurti në veri, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë vizituar vilën e Milan Radoiiçiqit te Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok.
Në një video mbi dy minuta, të cilën e ka postuar ministrja Haxhiu, të dy ministrat shihen duke e “inspektuar” vilën në fjalë.
Kjo vizitë është realizuar një ditë pasi gjykata ka filluar zbatimin e urdhrit për sekuestrimin e pasurisë së njeriut që ka pranuar se është autori i sulmit në Banjskë.
Më herët kjo pjesë e vendit është vizituar edhe nga ministrat të tjerë të Qeverisë Kurti.
Gjatë vizitës në veri, kryeministri Kurti nuk ka vizituar edhe kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, të cilët vijnë nga radhët e PDK-së, raporton Nacionale.