Hovenier: Mënyra se si u zbatua vendimi i BQK-së për dinarin na shqetëson, u bë me nxitim

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe aleatit kryesor të saj po përballen me mosmarrëveshje rreth vendimeve politike të qeverisë aktuale të Kosovës dhe shpërfillje të këshillave të qeverisë amerikane në raport me komunitetin serb në Kosovë.

Hovenier thotë se dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kryeministrit Albin Kurti nuk kanë të bëjë me anën ligjore të veprimeve, por me frymën dhe e tyre dhe pasojat konkrete tek komuniteti serb. 

Ambasadori ka folur edhe për reagimin e tij kundër veprimit të qeverisë për të finalizuar shpronësimin e tokave në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, e cila vjen pas kritikave që Hovenier i ka bërë qeverisë për vendimin për të ndaluar përdorimin e dinarit si dhe refuzimin për të bërë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit.

Jeff Hovenier: Dallimet nuk kanë të bëjë me anën ligjore të veprimeve, por me mënyrën se si po zbatohet ligji. Dua ta ilustroj me dy shembuj. Tek çështja e shpronësimit, askush nuk e konteston se qeveria e ka autoritetin të kryejë shpronësim toke. Por në të gjitha shoqëritë demokratike, shpronësimi i tokës – marrja e tokës për shkak të nevojave të qeverisë për atë tokë, megjithë kundërshtimin e pronarëve, është diçka që bëhet si zgjidhje të fundit, diçka që bëhet në rrethana të skajshme. Kur një gjë e tillë ndodh në pjesën veriore të Kosovës, ku tensionet janë tashmë të ngritura dhe ku qytetarët kanë dyshime nëse qeveria me të vërtetë po vepron në interesin e tyre, duhen pasur parasysh në veçanti ndjeshmëritë e komunitetit. Duhen përpjekjet maksimale për komunikim dhe një angazhim i plotë me komunitetin në një formë që nuk lë asnjë hapësirë për keqkuptim, me vëmendje për çdo detaj. Në Shtetet e Bashkuara sistemi gjyqësor përballet me çështje të shumta nga njerëzit që kontestojnë veprimet e qeverisë për të shpronësuar tokat. Është çështje e ndjeshme, njerëzit i duan pronat e tyre. Në rastin në fjalë, siç e thotë edhe deklarata jonë e përbashkët, jo vetëm e Shteteve të Bashkuara, por e të gjitha shteteve të Kuintit, Bashkimit Evropian si institucion dhe misionit të OSBE-së në Kosovë, asnjëri prej nesh nuk e konteston ligjshmërinë e veprimit të qeverisë për të shpronësuar tokë, por kemi rezerva për formën se si po bëhet ky veprim. Kemi patur disa diskutime me Qeverinë e Kosovës për interpretimin e ligjit dhe për faktin se nuk mendojmë se janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore.

Kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën se si qeveria është angazhuar me komunitetet e prekura nga ky vendim dhe kemi shprehur zhgënjimin tonë që këshilla jonë nuk është marrë parasysh.

E njëjta vlen për vendimin e Bankës Qendrore. Ne nuk e kontestojmë – e kam thënë disa herë publikisht – që Banka Qendrore e Kosovës ka kompetencat ligjore, të drejtën dhe përgjegjësinë të vendosë rregulla për institucionet financiare dhe çështjet financiare në gjithë territorin sovran të Republikës së Kosovës, që përfshin pjesën veriore të Kosovës. Por mënyra se si është zbatuar ky vendim, na shqetësoi. U bë me nxitim, pa u njoftuar në kohë. Kur u bë ndryshimi në qarkullimin me euro në Kosovë, njerëzit patën një vit të tërë për t’u përgatitur. Në këtë rast, ka komunitete në Kosovë që ne besojmë jetesa e të cilëve sigurohet nga pensionet apo përfitimet e skemës sociale dhe mënyra se si u bë, nga perspektiva jonë, ishte pa e konsideruar këtë çështje mjaftueshëm në mënyrë që komunitet e ekspozuara, njerëzit e rrezikuar, të kishin ende përkrahjen financiare tek e cila mbështeten. Pra ne nuk e kontestuam ligjshmërinë, ne nuk e sfidojmë të drejtën e Kosovës të thotë se monedha që ne përdorim në bazë të ligjit në Kosovë është euro, ky është vendim i autoriteteve sovrane të Kosovës. Ne donim që qeveria të punonte me ne se si ta bëjmë këtë gjë. Ofruam ekspertizën dhe përkrahjen tonë për ta bërë në një formë që u jepte informacion të dobishëm atyre që prekeshin nga ky vendim, që merrte parasysh pasojat negative të këtij vendimi, që t’i shmangte ato dhe të bëhej në një formë që të mund ta mbështesnim.

Ne duam të jemi përkrahësi më i fuqishëm i qeverisë së Kosovës, i banorëve të Kosovës. Duam ta shohim Kosovën të avancojë në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Duam ta shohim Kosovën në NATO dhe në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës. Por për ta ndihmuar Kosovën të arrijë këto qëllime, duam që qeveria të ndërarrë veprime që u përgjigjen shqetësimeve që kemi ngritur, që avancon këto qëllime, që është në përputhjeme zotimet që Kosova ka bërë në dialog. Këto janë ato i presim dhe pjesë e asaj që besojmë se po mungon së fundmi”, ka thënë Hovenier për Zërin e Amerikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *