Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro false vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po vazhdon të ‘tmerrojë’ të gjithë është ajo 2 euroshe.
Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i TEB-it në Prishtinë, i cili ka njoftuar se në periudha të ndryshme, janë deponuar disa kartëmonedha e mijëra monedha metalike, që dyshohet të jenë false.
Siç merr vesh Sinjali, bëhet fjalë për 50-she, 20-she dhe 5 euro – si dhe hiç më pak se mbi 6400 copë 2-she dhe mbi 400 1-she të falsifikuara, që janë deponuar nga punëtorët e trafikut urban.
Paratë që dyshohet se kanë qenë false janë konfiskuar në cilësinë e provave materiale, ndërsa lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.
Kujtojmë se si masë preventive për ‘shpëtimin’ nga 2 eurot false, shumë biznese në Kosovë kanë filluar të mos pranojnë pagesa me këto monedha.
Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.