Çështja për hapjen e urës mbi lumin Ibër – BE, KFOR e UNMIK kërkojnë që vendimi të merret në kuadër të dialogut

Në territorin e pjesës së Mitrovicës së veriut është rikthyer në diskutim çështja për hapjen e urës mbi Ibër. Gjatë seancës së Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje më 31 maj kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik.

Asamblistja e LVV-së, Aida Ferati-Doli, tha se çështje e urës mbi Ibër ishte diskutuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 2015 dhe “është mbyllur kjo çështje”. Sipas saj, çështja e urës i takon dy komunave, të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut si dhe Republikës së Kosovës.

“Vendimi që e kemi marrë vitin e kaluar, nuk duhet të kthehet asnjëherë mbrapsht. Gjithsesi, qytetarët e kanë parë deklaratën dhe kanë filluar të pyesin kur do të hapet dhe do të thotë janë shumë të entuziazmuar dhe të gëzuar për këtë çështje”, tha ajo gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal më 31 maj.

Në seancë, kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, tha se është për hapjen e urës, për lëvizjen e lirë “sipas standardeve evropiane”. Ai tha se zbatimi i vendimit për çështje e urës është i obligueshëm për autoritetet lokale.

“Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, tha ai.

Ka kërkesa që seanca e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut të vazhdojë pa praninë e mediave.

Lidhur me këtë reagoi edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel.

Stano tha se BE-ja është “shumë e interesuar” që të parandalojë një krizë të re në Kosovë”

.

Ne jemi shumë të interesuar të parandalojmë një krizë tjetër. Tashmë ka pasur shumë kriza dhe shumë pak zgjidhje dhe hapa që çojnë në deeskalim”, tha Stano.

“Pavarësisht përpjekjeve tona shumëvjeçare për ndërmjetësim si Bashkimi Evropian, kjo urë mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që bie në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga (BE), negociatat dhe çdo vendim në lidhje me urën duhet të diskutohen në kuadër të dialogut, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.

Të njëjtën gjë e theksoi edhe Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bëri thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në këtë urë.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR.

Reagim pati edhe nga kryetarja e UNMIK-ut, Karolina Zijade e cila gjithashtu tha se të gjitha çështjet e hapura, përfshirë edhe synimin për hapjen e urës mbi Ibër në Mitrovicë, duhet të zgjidhen me dialog.

Përmes faqes zyrtare të UNMIK-ut, Zijade bëri gjithashtu thirrje që të shmangen veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe kërcënojnë stabilitetin.

“Duhet të shmangen veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet, kërcënojnë stabilitetin dhe dëmtojnë besimin midis komuniteteve. Çështjet e pazgjidhura, përfshirë planet për rihapjen për trafik të urës së Ibros në Mitrovicë, duhet të zgjidhen me dialog me ndërmjetësimin e BE-së”, thekson UNMIK-u në një postim në rrjetin social “X”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *