Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar sekuencën e video-incizimit në të cilën shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar nëpërmjet telefonit me terroristin serb Milan Radoiçiq.
Haradinaj ka shkruar se po bie maska e Albin Kurtit, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Dil e trego pse kërkove partneritet me Radojqiqin kur e ke ditur se ai ka qenë i ndjekur nga organet e rendit dhe i arratisur nga Kosova që prej nëntorit 2018, e në Listën e Zezë të Amerikës prej dhjetorit 2021?”, ka shkruar Haradinaj.
“Po ashtu, ende nuk je përgjigjur në një pyetje shumë të vjetër. Pse vite pas lirimit tënd nga burgu, me 17 janar 2004, në Dollc të Klinës, u gjete i mbuluar me batanije, në makinë me agjentë serb Gollub e Boban Donqiq?”, ka thënë kryetari i AAK-së.
Haradinaj ka akuzuar Kurtin se nuk ka pasur asnjëherë patriotizëm.
“Përgjigju Albin. Nuk mund të gënjesh më e as të fshihesh pas patriotizmit që asnjëherë nuk e ke pasur. Po të vjen fundi Albin!”, ka shkruar ai në Facebook.