Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e gjuajtjes me armë zjarri mbrëmë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Policia ka konfirmuar se i dyshuari është duke u kërkuar, ndërkohë që janë sekuestruar gëzhoja, fishekë, jelekë ushtarak e substanca narkotike.
Gjithçka thuhet se nis pas një mosmarrëveshje, mes të dyshuarit me disa persona.
I njëjti sipas raportuesit të rastit, bëhet me dije se e ka marrë armën AK 47 dhe pasi ka dal nga shtëpia kishte shtënë me armë.
“Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar 19 gëzhoja si dhe gjatë kontrollit të shtëpisë së personit të dyshuar janë gjetur disa fishekë, jelekë ushtarak dhe substanca narkotike“, thuhet në raportin 24 orësh.
Në vendin e ngjarjes përveç njësive relevante policore ka dalur edhe prokurori.
Vepra nga policia është cilësuar si vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe posedim i narkotikëve.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, deklaroi se të dyshuarit janë recividistë.