Weber: Mendoj që Kurti është këshilluar mirë që të mos dorëzohet dhe ta përcjellë draft-statutin në Kushtetuese

Eksperti i Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Politikat e Demokratizimit në Berlin të Gjermanisë, Bodo Weber, në një intervistë për Gazetën Sinjali ka deklaruar se nuk pret që çështja e anëtarësimit të Kosovës të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të mblidhet më 16 dhe 17 maj në Strasburg.

Weber ka deklaruar se kësisoj do të pa parandalohej një votë negative, votë e pasuksesshme për Kosovën.

Sipas tij, kjo është bërë e qartë pasi shtetet perëndimore i vendosën Kosovës një kusht për ndërmarrjen e hapave konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tutje ka shtuar se optimizmi i demonstruar i Kosovës për këtë çështje është bazuar tërësisht në procesin formal të aplikimit dhe kushtëzimit, raporton Sinjali.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit, Albin Kurti, i cili hodhi poshtë këtë kusht, Weber tha se Kurti ka të drejtë formalisht, por i mungon pika politike në këtë çështje.

Ai shtoi se ka dy arsye potenciale për dështimin e anëtarësimit të Kosovës, ose qeveria sipas tij ka qenë naive duke mos kuptuar pjesën politike të “kushtëzimit”, ose ata e kanë kuptuar, por kanë menduar se mund t’i tejkalojnë kryeqytetet evropiane dhe t’i shtyjnë drejt mbështetjes.

Weber tha se nuk beson se kryeministri Kurti është naiv.

A prisni që çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të jetë në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave më 16 dhe 17 maj?

Weber: Fatkeqësisht jo. Duket se është përfundimisht e qartë pas zhvillimeve dhe deklaratave të aktorëve kryesorë në ditët e fundit se aleatët kryesorë evropianë të Kosovës, d.m.th. Franca, Italia dhe Gjermania kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që draft-statuti i Asociacionit i QUINT-it të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe se Qeveria Kurti nuk është e përgatitur për ta bërë këtë. Si rezultat, aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk do të vihet në rend dite, për të shmangur një votim të dështuar, që do të ishte një siklet edhe më i madh për të gjitha palët. Kësisoj, derisa nuk ka ndonjë përparim të minutës së fundit në dy-tre ditët e ardhshme, thjesht mendoj që nuk do të ndodhë.

Nëse kjo çështje futet në rend dite, a mendoni se do të votohet anëtarësimi i Kosovës?

Weber: Epo, nëse aplikimi i Kosovës për anëtarësim do të vihej në rend dite vetëm në rast se Kosova përmbush kushtet e këtyre kryeqyteteve evropiane, në këtë rast po, do të kishte një votim të suksesshëm.

Si e shihni situatën e krijuar së fundmi lidhur me çështjen e themelimit të Asociacionit?

Weber: Si diçka që fatkeqësisht pritej plotësisht, pavarësisht se të gjithë në Kosovë dhe më gjerë pretendojnë se janë të befasuar me lëvizjen e kryeqyteteve të BE-së. Për muaj të tërë, të gjithë pretendonin sikur aplikimi i Kosovës për anëtarësim ishte në rrugën e duhur, përkundër faktit se oferta e qeverisë për anëtarësim kishte qenë një lëvizje e njëanshme dhe dialogu politik në përgjithësi u shkatërrua, duke i prishur marrëdhëniet me aleatët kryesorë perëndimorë të Kosovës. Optimizmi i demonstruar i Prishtinës bazohej tërësisht në procesin formal të aplikimit dhe kushtëzimit. Megjithatë, siç e ka dëshmuar edhe aplikimi i fundit i dështuar i Qeverisë Haradinaj në vitin 2019, Kosova mund të ketë sukses vetëm kur aplikimi të jetë plotësisht i koordinuar me aleatët e Kosovës dhe kur dialogu politik përparon.

Si e komentoni deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e hodhi poshtë këtë kusht, me arsyetimin se nuk ka të bëjë me pranimin e vendit në Këshillin e Evropës?

Weber: Kryeministri Kurti ka të drejtë formalisht, por i mungon pika politike: Siç thashë, siç e ka dëshmuar aplikimi i fundit i dështuar për anëtarësim, është procesi formal i aplikimit dhe kushtet formale, dhe më pas është konteksti më i gjerë politik i dialogut politik, pavarësisht nëse ky është i drejtë dhe kuptimplotë apo jo. Kështu, pavarësisht se kryeqytetet evropiane në fund të procesit e bënë të qartë “kushtin” e tyre politik, kjo nuk duhet të ishte vërtet befasi. Ka dy arsye potenciale për dështimin e anëtarësimit të Kosovës, ose qeveria ka qenë naive duke mos kuptuar pjesën politike të “kushtëzimit”, ose ata e kanë kuptuar, por kanë menduar se mund t’i tejkalojnë kryeqytetet evropiane dhe t’i shtyjnë drejt mbështetjes. Nuk besoj se kryeministri Kurti është naiv.

Çfarë mendoni se duhet të bëjë Kosova në këtë pikë?

Weber: Marrë parasysh faktin që politika aktuale e dialogut, iniciativa gjermano-franceze, Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Ohrit de facto kanë kolapsuar, gjithashtu marrë parasysh që në propozimin e statutit të Asocicaionit të propozuar nga Quinti ka elemente dhe aspekte problematike dhe gjithashtu fakti që Perëndimi nuk i ka dhënë një garanci bindëse Prishtinës që do ta parandalonte Asociacionin që pas themelimit të zhvillohej në një drejtim të kundërt me integritetin e shtetit kosovar, të ardhmen e serbëve dhe stabilitetin rajonal, mendoj që Kryeministri Kurti është këshilluar mirë që të mos dorëzohet dhe ta përcjellë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Edhe nëse kjo për momentin e rëndon aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

A mendoni akoma se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara “duhet të pranojnë se politika e tyre e deritanishme ka dështuar”?

Weber: Është mjaft e qartë që nisma gjermano-franceze ka dështuar. E kam thënë edhe para Banjskës. Që nga Banjska, të gjitha kryeqytetet dhe aktorët përkatës perëndimor e dinë plotësisht se ky është rasti. Ajo që është më e keqja, kjo fazë e fundit në dialog ka shkatërruar atë pak progres që kishte mbetur nga një dekadë e dialogut politik, dhe status quo-ja në veri gjithashtu është shkatërruar, duke rrezikuar sigurinë dhe stabilitetin. Do të thotë se jemi gati një vit në një fazë ku autorët e qasjes aktuale të dialogut janë plotësisht të vetëdijshëm për dështimin e tij, por jo të gatshëm ta pranojnë këtë. Për fat të keq, politika ndërkombëtare normalisht nuk funksionon në një mënyrë që dikush pranon dështimin dhe më pas ndryshon kursin. Shpresojmë se largimi i emisarit evropian Lajçak dhe i homologut të tij amerikan Escobar dhe ndryshimi i ardhshëm në Komisionin Evropian, do të ofrojnë një shans për një ndryshim të nevojshëm urgjent të politikës.

Pra, a mendoni se do të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Weber: Jo në të ardhmen e afërt – dhe nuk duhet të jetë, duke pasur parasysh kushtet aktuale. Asociacioni është çështja më e keqkuptuar në dialog. Ai kishte një kuptim shumë specifik në kontekstin e dialogut politik origjinal 2012-14, dhe përparimin fillestar historik që ai arriti. Me humbjen e drejtimit strategjik të dialogut, çështja e Asociacionit natyrshëm ngeci. Çështja e Asociacionit është një çështje komplekse – përmban elemente dhe aspekte shumë problematike, të rrezikshme dhe në të njëjtën kohë nuk mund të anashkalohet, sepse është ndërthurur ngushtë me frikën kolektive të serbëve të Kosovës. Për të gjitha këto arsye, ka vetëm një mënyrë për të zgjidhur çështjen e Asociacionit – në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke përfshirë edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia.

Cila mendoni se është zgjedhja dhe rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Weber: Një rivendosje e plotë dhe e thellë e dialogut politik të BE-së dhe e bazuar në një kthesë të plotë në politikën e Perëndimit për Serbinë, në një mënyrë që i jep fund politikës së dështuar të regjimit të Vuçiqit, duke shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga agresioni rus kundër Ukrainës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *