Podujeva nuk ka gjetur sot qetësi. Pas plagosjes së katër personave, incident ky që ndodhi në fshatin Lupç, është raportuar për një rast tjetër. Këtë herë, një person është therur me thikë në fshatin Orllan.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, e cila shtoi se viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa tre persona po intervistohen në stacion policor, që dyshohen të jenë të përfshirë në këtë rast.
“Sot rreth orës 19:00, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në fshatin Orllan të Podujevës. Në këtë rast nga një mjet i mprehtë (thikë) është lënduar një person.
I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti. Aktualisht në stacion policor po intervistohen tre persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë”.