Abuzimi me alkoolin jo rrallëherë rezulton të jetë një ndër shkaktarët kryesorë të dhunës në familjet kosovare, ku viktima më së shpeshti janë gratë që keqtrajtohen në mënyra të ndryshme nga bashkëshortët, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në një familje në Fushë Kosovë, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.
Burimet kanë bërë me dije se një 32-vjeçare ka raportuar për një konflikt familjar me bashkëshortin, i cili dyshohet se u kap me të teksa ishte nën ndikimin e alkoolit.
Si rezultat i denoncimit, dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku i është nënshtruar testit për alkool dhe doli se ishte i dehur.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.