Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka theksuar se kanë arritur demaskimin e disa individëve dhe Qeverisë, të cilët janë përfshirë në afera të mëdha korruptive, duke përfshirë edhe akuzat për keqpërdorim të teksteve shkollore.
“Atë që kemi mundur ta bëjmë edhe e them më përgjegjësi të plotë është demaskimi i disa individëve por edhe kësaj strukture qeveritare sidomos me aferat e mëdha korruptive që tashmë kanë dalë në sipërfaqe, e një ndër to është i dyshuar që ka keqpërdorim edhe me tekstet shkollore, ku janë shpenzuar më shumë miliona sesa në vitet paraprake”, ka deklaruar Zemaj në emisionin FIVE.
Sa i përket kontratave një-burimore të Qeverisë, Zemaj ka theksuar se duhet hetim parlamentar pasi bëhet fjalë për 781 kontrata të negociuara dhe sipas tij nga to do të dëshmohet se ka pasur korrupsion.
“Ne do të ishim shumë të kufizuar nëse do të ishte çështja për pesë ose gjashtë kontrata, po flasim për 781 kontrata të negociuara ose që quhen sekrete domethënë negocim mes individësh kuptohet si bartës i institucionit dhe njerëzve që shumica nga ta po dalin që janë të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe nga 781 është padyshim dhe besoj që do të dëshmohet se aty ka pasur korrupsion”, ka thënë ai.
“Ku i shohim çmimet bazë, kur i shohim çmimet para një viti, para dy tri vitesh, ku i shohim ofertat që kanë dështuar në procedurë të hapur dhe kur i shohim statistikat buxhetore sesi është dhënë një tenderë me shumë miliona sesa ka qenë baza fillestare atëherë edhe insistimi jonë vlen”, ka deklaruar tutje Zemaj.
Ndër të tjera, deputeti i LDK-së, i pyetur për zgjedhjet e parakohshme që po i përmend secila parti, madje edhe Qeveria, ka deklaruar se partia e tij është gjithmonë e gatshme dhe e përgatitur për t’i mbajtur ato.