Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, tha kryenegociatori serb, Petar Petkoviq.
Duke folur për gazetarë në kryeqytetin belg, Petkoviq tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.
“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, tha ai.
Ai i bëri këto deklarata pas takimit trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Në takimin e kaluar në Bruksel, Petkoviq kishte thënë se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimora e Postës, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër.
Petkoviq theksoi gjithashtu se pret që Lajçaku të bëjë një ftesë të re për diskutime për pagesat për dhjetë ditë.
“Më pas do të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, shtoi ai.
Ai përsëriti se kjo çështje do të ishte e zgjidhur, sikur të ekzistonte Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Të enjten më herët në mëngjes, Lajçak e zhvilloi një takim dypalësh me kryenegociatorin serb Petkoviq.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, shpresonte se do të tejkaloheshin dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihej një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdojnë t’i pranojnë beneficionet nga shteti serb.
Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Takimi i sotëm ishte i treti në javët e fundit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa i katërti në përgjithësi për këtë çështje në Bruksel.
Në takimet e deritanishme, sipas BE-së, palët kanë paraqitur propozimet e tyre për gjetjen e një zgjidhjeje praktike dhe afatshkurtër për qytetarët serbë në Kosovë që paguhen në dinarë nga Serbia.
Por, ka pasur dallime mes palëve, prandaj edhe është thirrur edhe ky takim që zhvillohet sot, e enjte, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
Qeveria e Kosovës ngul këmbë se vendimi i BQK-së nuk është politik, por i një institucioni të pavarur. Megjithatë, ajo është shprehur e gatshme për një zgjidhje praktike që do t’u ndihmonte qytetarëve, por pa vënë në dyshim vendimin e BQK-së.
Në një intervistë dhënë REL-it në mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.
Burimet e BE-së kanë thënë se shpresojnë në arritjen e zgjidhjes, por kanë përsëritur se kjo, mbi të gjitha, do të varet nga gatishmëria e palëve.