Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Gjilan, ku është gjetur pa shenja jete një person.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka thënë se trupi i pajetë është gjetur në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan – Kamenicë.
Sipas Hashanit, trupi i pajetë nuk është identifikuar për shkak të rrethanave në vendin ku është gjetur.
“Ju njoftoj se me datë 26.02.2024 rreth ores 22:37, policia e Kosovës stacioni policor në Gjilan kanë marrë një informatë se në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan -Kamenicë është vrejtur një person i cili dyshohet të jetë i vdekur. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe të gjitha njësitet relevante, ku me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, ka thënë Hashani.
Ndërkohë raportohet se bëhet fjalë për mërgimtarin, Musah Hamiti, i cili u raportua i zhdukur një muaj më parë.
Sipas provave të mbledhura, Sinjali pati raportuar se dyshohet që bëhet fjalë për rrëmbim pasi ditën kur Hamiti u kidnapua, kishte me vete rreth 87 mijë franga dhe qindra euro.
Lidhur me rastin ishin arrestuar dy shtetaset e Shqipërisë, Marinela Markoviq dhe Silvana Dulellari.