Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke vëzhguar çdo lëvizje afër kufirit serb me Kosovën dhe përdorimi i forcës nga ana e Serbisë, do të ishte i papranueshëm. Kështu thotë, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Në një bashkëbisedim me gazetarë, O’Brien tha se “një lëvizje eventuale prej forcave të Serbisë do të konsiderohej prej SHBA-së si rrezikim i forcave të NATO-s “që janë në Kosovë për t’i mbrojtur shqiptarët dhe serbët”.
Sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës.
Ai ka thënë, po ashtu, se Serbisë i është bërë e qartë që personat e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit duhet të mbahen përgjegjës.