Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka komentuar deklaratën e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili mbrëmë tha se mund të shkojnë në zgjedhje kurdo që dëshiron opozita.
Në një konferencë për media, Tahiri është shprehur i kënaqur me deklaratën e Kurtit, për të cilin thotë se edhe vetë e ka kuptuar se ai duhet të dorëhiqet.
“Unë jam i kënaqur që dje kryeministri Albin Kurti e tha edhe vetë dhe e ka kuptuar edhe vetë se ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kur në fillim të këtij mandati, kryetari Haradinaj thoshte se ky është një mashtrues, njerëzit shikonin me habi të madhe. Ajo çka karakterizohet këto tri vite është me të vërtetë një qeverisje që nuk i qëndron asnjë vendimi mbrapa dhe siç e patë edhe vetë, kryeministri u dorëzua në mandatin e tij të tretë dhe duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje”, tha ai,
Më tej Tahiri deklaroi se kanë përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar në trevjetorin e qeverisjes së Kurtit.
“Ne kemi përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar në trevjetorin e kësaj keqqeverisje, e cila realisht ka arritur t’i bëjë vetëm dëme Kosovës dhe ta kthejë në pikën më të errët që nuk e ka besuar askush ndonjëherë”, ka thënë Tahiri.
Kryeministri Kurti në një intervistë për televizionin publik, tha se opozita duhet ta thotë fjalën e vet sa i përket çështjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Madje, ai ka ofruar edhe ‘ndihmën’ e tij për t’ua mundësuar 2/3 e votave për rrëzimin e Qeverisë.
“Unë nuk mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën. Për shkuarje në zgjedhje duhen 2/3 e votave dhe nuk ka mënyrë tjetër sipas aktvendimit të Kushtetueses. Ata numrat mund t’i bëjnë bashkë me neve. Kjo është ofertë e imja. Unë them që shkojmë në zgjedhje kur opozita dëshiron. Ne i ndihmojmë opozitës nëse duan të shkojmë në zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati”, ka thënë Kurti.