Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar disa pamje të njësive të specializuara të ushtrisë së Serbisë të cilat janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovës, më saktësisht në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut dhe në fshatin Oslare të Bujanovcit.
Beogradi zyrtar këto i ka quajtur trillime. Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Nemanja Staroviq, i ka quajtur pamjet e publikuara të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën si patrullim të rregullt.
“Alarmizmi i pabazë i shërben shumë mirë qëllimit të Kurtit, pasi shpërqendron vëmendjen nga vuajtjet e popullit serb nën grushtin e tij të hekurt dhe e përshkruan Kosovën si viktimë të ndonjë “pushtimi” të imagjinuar që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë. Për të përsëritur edhe një herë, me zë të lartë dhe qartë, forcat e armatosura serbe nuk kanë hyrë kurrë në territorin e Kosovës pas vitit 1999 dhe nuk do të hyjnë kurrë, derisa të lejohet nga KFOR-i, siç parashikohet në rezolutën 1244 të KS të OKB-së”, shkruan ai ndër të tjera në reagimin e tij.