Nënkryetari i Komunës së Skenderajt dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, Sami Lushtaku, është liruar nga zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë.
Pas intervistimit rreth një orësh, Lushtaku është lënë i lirë, teksa i është sekuestruar telefoni i tij personal.
Avokati i tij ka konfirmuar se Lushtakut i është konfiskuar telefoni.
“Ky veprim bie ndesh me ligjin. Sami Lushtaku nuk e ka statusin e të dyshuarit, prandaj atij i është cenuar privatësi pasi i është marrë telefoni”, ka thënë avokati, duke paralajmëruar ankesë në Dhomat e Specializuara.
Djali i tij, Mërgim Lushtaku, tha se sonte sipas avokatit, Lushtaku është ndaluar vetëm për telefon.
“Po, janë duke biseduar me avokatin, pasi sipas të gjitha gjasave është vetëm për telefon. Sipas avokatit vetëm për telefon dhe ende është në zyret e EULEX-it“, tha ai.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Gjykata Speciale ka bastisur shtëpinë e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, konfirmoi për Sinjalin se ZPS-ja po kryen operacione të vazhdueshme, të cilat mbështeten nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.