Zyrtarët policorë si gjatë kohës kur janë në kryerje të detyrës e edhe atëherë kur janë me rroba civile, ndodh t’i zë sherri me qytetarë, të cilët në shumë raste i ofendojnë, kërcënojnë e sulmojnë ata. Për një rast të tillë që ka ndodhur dje në Vushtrri, është arrestuar një person.
Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin, Ermal Ahmeti, 20-vjeçar.
Sipas burimeve, Ahmeti dyshohet se gjatë ditës së djeshme ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare.
Si pasojë e sulmit, viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës,
“Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që për motive të panjohura ka sulmuar fizikisht zyrtarin policor jashtë detyrës zyrtare. Viktima zyrtari ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.