Kryeministri Albin Kurti, ka reaguar pas djegies së lokaleve të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, duke e quajtur atë akt terrorist e kriminal. Ai ka thënë se “shpresojmë që “ambasadorët e Quintit dhe shefi i Zyrës së BE-së, z. Tomas Szunyog, do ta dënojnë ashpër këtë akt kriminal, terrorist e qyqar”.
Ai ka theksuar se përgjigjja ndaj akteve të tilla dhe personave përgjegjës është sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës.
“Pikërisht me 8 Mars, elemente kriminale në Zveçan zgjodhën e rizgjodhën dhunën, terrorin dhe sulmin, kësaj radhe ndaj pronës private, dyqanit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Ky duket të jetë “urimi” i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniq dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga strukura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhin”, ka shkruar Kurti në Facebook
Sipas tij Dita Ndërkombëtare e Grave “shënohet me mirënjohje, përkujdesje, dashuri e angazhim të përbashkët për barazi. Jo me dhunë e terror”
“Kurse ndaj serbëve të Kosovës që vazhdojnë të përballen me dhunën fizike e psikologjike dhe kërcënimet e vazhdueshme, është mbështetja e inkurajimi për të plotësuar deri në fund vullnetin e tyre”, ka shkruar Kurti.