Mbajtja e armëve nga të rinjtë tashmë është bërë dukuri që po shqetëson shoqërinë, mirëpo kjo dukuri duket se i ka prekur edhe të miturit, të cilët shpesh kapen me armë qoftë zjarri, apo të ftohta. Edhe më shqetësuese është fakti që ato shpeshherë përdoren gjatë përleshjeve fizike.
Një ngjarje e frikshme ka ndodhur sot në fshatin Senik të Malishevës, ku në afërsi të shkollës fillore të mesme të ulët ‘Gjergj Fishta’, dy nxënës janë përleshur mes vete.
Burime bëjnë me dije se njëri prej të miturve ishte i armatosur dhe i kishte drejtuar armën bashkëmoshatarit të tij.
Poashtu gjithë ngjarjen e ka parë njëri prej mësimdhënësve të shkollës, i cili kishte ndërhyrë në përleshjen mes nxënësve.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç‘rast kanë shoqëruar në stacion policor dy të miturit të cilët janë intervistuar në prezencën e zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale.
Bazuar në dëshmitë e tyre, e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti verbal mes tyre, e që më pas 14-vjeçari kishte marrë në shtëpinë e tij armën e zjarrit me të cilën e kishte kërcënuar të miturin tjetër.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe rasti është cilësuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Kanosje’.