Një person është arrestuar mbrëmë rreth orës 19:00 në Pikën e Kalimit Kufitar në Kullë, pasi gjatë kontrollit të veturës së tij janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e madhe e substancës së dyshuar narkotike e llojit heroinë.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se i dyshuari është 74-vjeçar dhe të njëjtit i janë sekuestruar edhe dy telefona celularë dhe 585 euro para të gatshme.
Në kuadër të veprimeve hetimore, Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe dëshmi tjera relevante si makineri për presimin e lëndëve narkotike, mikser për përzierjen e narkotikëve, si dhe edhe 700 gramë heroinë.
“Më 06.03.2024, rreth orës 19:00, në PKK-Kullë, kanë ndaluar veturën dhe gjatë kontrollit në brendësi të veturës janë gjetur dymbëdhjetë paketime, qe dyshohet të jenë substancë narkotike e llojit heroinë me peshë të përgjithshme 6314 gram (6 kg e 314 gr), kurse nga i dyshuar S.T., (viti i lindjes 1949, mashkull kosovar) janë konfiskuar edhe: dy telefona mobil dhe 585 euro. Policia, nën autorizimin e prokurores kanë kryer kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe dëshmi tjera relevante për rastin, si: makineri për presimin e lëndëve narkotike, mikser për përzierje të substancës narkotike, 700 gr heroinë dhe dëshmi tjera. Mendohet se vlera e lëndëve narkotike të konfiskuara është rreth 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesëmijë) euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit më pas është ndaluar për 48 orë.