Mbrëmë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në koncertin “Melodia e Lirisë”, që është e pjesë e përkujtimeve që gjatë këtij viti po zhvillohen në jubileun e çlirimit nga pushtimi nazifashistë, të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, nën interpretimin e Orkestrës Frymore e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Në prani të shumë të ftuarve në këtë koncert, kryeministri Kurti, theksoi se fashizmi, në të gjitha variantet e tij, ishte një e keqe e madhe, e keqja absolute që i kundërvihej humanizmit dhe iluminizmit, që ishin pjesa më e vyer e trashëgimisë kulturore evropiane. Ai tha se pushtimi fashist i Evropës ishte një sprovë për vlerat themelore të qytetërimit si i tillë.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti kujtoi ndihmën e popullit shqiptar për të strehuar dhe mbrojtur ata hebrenj që përndiqeshin në vende të tjera dhe nuk i dorëzoi te pushtuesi, duke theksuar po ashtu se populli shqiptar dha ndihmesën e tij në luftën me armë në dorë kundër nazifashizmit.
“Të rënët shqiptarë në Luftën e Spanjës, Mujo Ulqinaku qysh në vitin 1939, të zhdukurit shqiptarë në kampet e shfarosjes e deri tek ata që ranë në Sanxhak e në Bosnje në vitin 1945 duke ndjekur këmba këmbës nazistët, janë dëshmorët tanë, pra ata që dëshmojnë më së miri rreshtimin tonë kundër fashizmit. Ata nuk janë harruar dhe ne i kujtojmë gjithnjë”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se ndihet krenar që Kosova është rreshtuar me shtetet që po ndihmojnë përpjekjen për liri të popullit ukrainas, nga një tjetër fashizëm, por gjithsesi fashizëm, nga fashizmi rus e që ka lidhje të shumta e ndikim të fuqishëm edhe në rajonin tonë, në fqinjësinë tonë.
Në fund të fjalës, ai shprehu përkushtimin e qeverisë që drejton për marrëdhënie sa më të ngushta e vëllazërore me Republikën e Shqipërisë.
“Qeveritë dhe institucionet e tjera publike të dy shteteve tona e kanë detyrë të bashkëpunojnë sa më ngushtë për interesin e kombit shqiptar dhe në frymën e integrimeve mbarevropiane”, tha kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Petrit Malaj, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë,
Të nderuar deputetë të Kuvendit e ministra të Qeverisë,
I nderuari z. Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës,
Të nderuar gjeneralë, oficerë e ushtarë të Kosovës, të Shqipërisë, e të vendeve mike,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të shteteve të akredituara në Republikën e Kosovës me përfaqësuesit e tyre diplomatikë,
Të dashur artdashës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Faleminderit për ftesën në koncertin “Melodia e Lirisë”, që është e pjesë e përkujtimeve që gjatë këtij viti po zhvillohen në jubileun e çlirimit nga pushtimi nazifashist.
Programi përmban këngë e pjesë muzikore nga repertori i artistëve tanë dhe nga kompozitorë nga vende të tjera, si për të na kujtuar për botën e hapur në të cilën jetojmë sot. Kjo botë e hapur, të paktën në aspektin artistik e kulturor, nuk do të ishte bërë e mundur nëse çështja e lirisë nuk do të fitonte kundër totalitarizmave fashistë e komunistë. Pak muaj pasi nazistët fituan pushtetin në Gjermani, ata dogjën në turrën e druve librat e pikturat që nuk përshtateshin me doktrinën dhe frymën e fashizmit. Më pak se një dekadë më pas ata në furra do të digjnin trupat e njerëzve që më parë i kishin mbytur nëpër dhomat e gazit. Nga hedhja poshtë e ndalimi i letërsisë, arteve e shkencës të ashtuquajtura dekadente, te hedhja poshtë e zhdukja e popujve të ashtuquajtur inferiorë.
Prandaj, fashizmi, në të gjitha variantet e tij, ishte një e keqe e madhe, e keqja absolute që i kundërvihej humanizmit dhe iluminizmit, që ishin pjesa më e vyer e trashëgimisë kulturore evropiane. Pushtimi fashist i Evropës ishte një sprovë për vlerat themelore të qytetërimit si i tillë. Shumë burra e gra nuk u frikësuan, por në mënyra të ndryshme e përballuan këtë sprovë, qoftë duke ruajtur vepra artistike, me besimin se ato do të ishin të nevojshme për rilindjen kulturore pasi të kalonte furtuna e fashizmit. Të tjerë bënë çmos që të shpëtonin njerëzit që persekutoheshin nga fashizmi. Populli shqiptar është krenar që strehoi dhe mbrojti ata hebrenj që përndiqeshin në vende të tjera dhe nuk i dorëzoi ata te pushtuesi.
Gjithashtu populli shqiptar dha ndihmesën e tij në luftën me armë në dorë kundër nazifashizmit. Të rënët shqiptarë në Luftën e Spanjës, Mujo Ulqinaku qysh në vitin 1939, të zhdukurit shqiptarë në kampet e shfarosjes e deri tek ata që ranë në Sanxhak e në Bosnje në vitin 1945 duke ndjekur këmba këmbës nazistët, janë dëshmorët tanë, pra ata që dëshmojnë më së miri rreshtimin tonë kundër fashizmit. Ata nuk janë harruar dhe ne i kujtojmë gjithnjë.
Mosrealizimi i aspiratave të dëshmorëve tanë për një botë të lirë, paqësore e të drejtë, nuk e zhvlerëson sakrificën e tyre. Fakti që fill pas fitores, populli ynë u pushtua, u masakrua dhe u nda nga një lloj tjetër i totalitarizmit, nuk e zbeh aspak kontributin tonë në luftën e përbotshme kundër nazifashizmit. Përpjekja jonë si komb vijoi për dekada edhe kundër totalitarizmit të majtë, që në ish-Jugosllavi shihej si imponim i huaj, dhe përjetohej me aq shumë vuajtje, humbje, dhembje, por e ndjenin të vështirë e të rëndë edhe shumë qytetarë në Shqipëri që nuk pushuan së ëndërruari dhe vepruari për botën e lirë.
Në Evropën e sotme, liria ka të bëjë me të drejtat e njeriut, me tregun e lirë, demokracinë dhe parlamentarizmin, sundimin e ligjit dhe solidaritetin shoqëror. Në aspektin institucional, lirinë e mishërojnë dhe e mbrojnë institucione si NATO, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës etj. Si kryeministër i shtetit më të ri në Evropë, shtet i lirë, sovran e demokratik, i njohur nga vendet demokratike të botës, jam krenar që Kosova është pranuar si anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, është në prag të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne po ecim drejt në rrugën e duhur, edhe pse ajo mund të mos jetë e shkurtër. Po ashtu jam krenar që Kosova është rreshtuar me shtetet që po ndihmojnë përpjekjen për liri të popullit ukrainas, nga një tjetër fashizëm, por gjithsesi fashizëm, nga fashizmi rus e që ka lidhje të shumta e ndikim të fuqishëm edhe në rajonin tonë, në fqinjësinë tonë.
Gjyshërit tanë jetonin në kohën e fashizmit të Musolinit, Hitlerit e të Frankos. Ne po jetojmë në kohën e fashizmit të Putinit. Antifashizmi është sërish tejet i rëndësishëm dhe ai përsëri duhet të fitojë e do të fitojë.
Më lejoni, shkëlqesi Ambasador i Republikës së Shqipërisë, që të përfitoj nga ky rast për të shprehur edhe një herë përkushtimin e qeverisë që drejtoj për marrëdhënie sa më të ngushta e vëllazërore me Republikën e Shqipërisë. Qeveritë dhe institucionet e tjera publike të dy shteteve tona e kanë detyrë të bashkëpunojnë sa më ngushtë për interesin e kombit shqiptar dhe në frymën e integrimeve mbarevropiane.
Në fund, falënderoj nga zemra artistët për shfaqjen dhe kënaqësinë që do të na e dhurojnë sonte e ju uroj suksese të mëtutjeshme!
Lavdi dëshmorëve të kombit!