Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka dalë me një reagim ku është tallur me zotimin e Qeverisë së Kosovës se rrugën Kijevë-Zahaq do të përfundojnë për 420 ditë.
Bajrami ka shkruar se pretendimet e Qeverisë së në këtë rrugë i kanë kursyer rreth 150 milionë euro nuk janë të vërteta.
Ajo ka bërë me dije se askush nuk e beson një gjë të tillë, duke i quajtur mashtrues dhe të korruptuar.
“Qeveria e cila për tri vite ka përfunduar veç një projekt – urën tri metra të Saradranit, dje u zotua se rruga Kijevë-Zahaq do të përfundon për 420 ditë. Kush e beson një gjë të tillë? Është po e njëjta Qeveri që urën 38 metra te liqeni i Badovcit nuk ka arritë ta përfundoj prej 19 janarit të vitit 2023 – veç 38 metra urë! Gjithashtu paskan thënë se kinse në rrugën Kijevë-Zahaq këta ja paskan kursy shtetit rreth 150 milionë euro. Po këtë a e beson kush?.
Dmth. qeveria që ka nënshkruar rreth 240 milionë euro kontrata sekrete plot 889 sosh deri me tani, qenka vonu për shkak me e kursy buxhetin e shtetit?! Kush me kursy? Ministria e cila në mënyrë komplet joligjore e korruptive i ka shly dhjetra miliona euro borxhe ndaj shtetit që i kanë pasë kompanitë e ambalazhimit të ujit. Ju s’jeni asgjë tjetër pos mashtrues, të korruptuar dhe dembelë që as praktikën nuk arritet ta përfundoni”, ka shkruar Bajrami.