Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar mbrëmë një telefonatë nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron.
Siç njofton presidenca franceze, “Presidenti i Republikës rikujtoi mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë e Kosovës dhe integrimin evropian”.
“Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbështetje ndërmjetësimit evropian dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve Bruksel-Ohër”, thuhet në njoftim.
Aty po ashtu thuhet po ashtu se presidenti Macron përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
“Megjithatë, ai theksoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, Macron thuhet se shprehu keqardhje për dështimin e votimit për tërheqjen e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës. “Ai përsëriti nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja sa më shpejt, me pjesëmarrjen e popullatës serbe”, u tha në komunikatën e Presidencës së Francës.
Në anën tjetër, Kurti e ka falënderuar Macron, për mbështetjen ndaj Kosovës.
Kurti tha se në telefonatën me Macronin, shprehu besimin se “Franca do ta mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropë pa parakushte të mëtejme dhe në përputhje me opinionin dhe votën historike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.
“Gjithashtu, insistova në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike”, tha Kurti në X.