Lajçak për Kurtin e Vuçiq: Sa herë janë pajtuar për diçka, janë kritikuar nga shoqëritë e tyre

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një intervistë për “N1” në Sarajevë, ka folur lidhur me procesin e dialogut mes dy shteteve.

Lajçak u shpreh se shoqëritë në të dyja vendet duhet ta kuptojnë se pa normalizim të marrëdhënieve, nuk kanë një të ardhme evropiane.

Ndër të tjera, ai ka thënë se shoqëritë në Kosovë e Serbi, nuk kanë presion për normalizim.

“Epo, problemi kryesor është, procesi duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve. Së fundi kërkova një takim me përfaqësues të OJQ-ve dhe mediave nga rajoni. I pyeta kush dëshiron normalizim? Dhe përgjigja ishte, ju, Bashkimi Evropian. Kështu që, problem është që është një proces që u mundësua nga BE-ja, por ne nuk e ndjejmë përpjekjen, presionin për normalizim nga shoqëritë, si në Kosovë, ashtu në Serbi.” – u shpreh ai.

Emisari evropian mes tjerash u shpreh se ka qenë dëshmitarë se si sa herë që dy liderët, kryeministri kosovar, Albin Kurti, e presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, janë pajtuar për diçka, kanë marrë kritika nga shoqëritë në vendet e tyre.

“Ne kemi një marrëveshje që s’e kemi pasur kurrë më parë, marrëveshjen e Ohrit, që është një rrugë e qartë. Por, unë kam qenë dëshmitar se sa herë që dy liderët, presidenti Vuçiq e kryeministri Kurti janë pajtuar në disa hapa drejt normalizimit, janë kritikuar nga shoqëritë e tyre. Pra, është e qartë, që elementi më i rëndësishëm është të kompletohet procesi, që të ndihmojmë shoqëritë që të kuptojnë se pa normalizim të marrëdhënieve, nuk ka të ardhshme evropiane.” – u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *