Një tjetër rast femicidi është regjistruar në Itali dhe këtë herë ka qenë e rëndë mënyra sesi burri ka vepruar pasi i ka marrë jetën ish-partneres së tij.
Mediat italiane raportojnë se pasi i mori jetën ish-partneres, 48-vjeçari nga qyteti i Modenas u paraqit në komisariatin e policisë, duke mbajtur trupin e saj të pajetë në bagazhin e makinës që kishte parkuar jashtë.
Andrea Paltrinieri më pas ka pranuar se ka vrarë ish-partneren, Anna Sviridenko, duke rrëfyer se e ka mbytur me një kabllo elektrike dhe i ka mbuluar fytyrën me një qese plastike për t’ia bërë të pamundur frymëmarrjen.
Viktima ishte dyzet vjeç, me origjinë italo-ruse. Ajo punonte në Modena si radiologe.
Sipas të dhënave të hetimeve të deritanishme, Paltrinieri ka kryer krimin pasi nuk ka pranuar që ish-partneres së tij t’u besohej kujdestaria e dy fëmijëve të mitur.